Fjalë Kyçe

Dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dy të arrestuar në Prishtinë e Fushë Kosovë

Dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dy të arrestuar në Prishtinë e Fushë Kosovë

Dy persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Ky aksion u zhvillua pas hetimeve të ndërmarra në koordinim me prokurorin e shtetit për dy raste të ndryshme.

Në rastin e parë personi i arrestuar (ish-zyrtar i gjendjes civile në Fushë Kosovë-tani i pensionuar) dyshohet se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, pa u vërtetuar dhe verifikuar, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar (NN), të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.

Përderisa, në rastin e dytë, një person tjetër ( ish-zyrtar i gjendje civile në Prishtinë -tani i pensionuar) është arrestuar nën dyshimet vijuese se gjatë punës së tij, në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore, në dy raste me persona të ndryshëm, pa u vërtetuar dhe verifikuar, në kundërshtim me të dhënat nga libri amzë i të lindurve, i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile personat e dyshuar (NN), të cilët më pastaj kanë arritur të pajisen me dokumente identifikuese si letërnjoftim dhe pasaportë të RKS-së, me të dhëna të pavërteta.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, dy të arrestuarve iu caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve, për procedura të mëtejme.