Fjalë Kyçe

Dyshohet për kërcënim të Përparim Ramës e Fehmi Kupinës, arrestohet një person

Dyshohet për kërcënim të Përparim Ramës e Fehmi Kupinës, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka njoftuar se të enjten ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka kërcënuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

Ai dyshohet se i ka kërcënuar gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me panin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit që është zhvilluar më 8 maj.

“Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal)”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit thuhet se është dërguar në mbajtje.

Më 8 maj ishte diskutuar për planin e lagjes “Kalabria” në kryeqytet. Banorët kishin hyrë në sallën e mbledhjeve të Asamblesë Komunale të Prishtinës duke kërcënuar se “do ta djegin Kuvendin” nëse nuk kalon në seancën e thirrur për 24 maj plani rregullues për këtë lagje.

Gjuha e përdorur nga ta ishte dënuar nga kryetari Përparim Rama. Pas deklaratës së tij, banorët e kishin lëshuar sallën.