Fjalë Kyçe

Dyshohet për ryshfet inspektori i komunës së Shtimes, kërkohet paraburgim

Dyshohet për ryshfet inspektori i komunës së Shtimes, kërkohet paraburgim

Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim për inspektorin në komunën e Shtimes që dyshohet për ryshfet.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurit T.S., i cili dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij si Inspektor i Ndërtimit në Komunën e Shtimes.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, kundër të pandehurit T.S., – person zyrtar, Inspektor i Ndërtimit në Komunën e Shtimes, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me të cilën do të kryente veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se i pandehuri T.S., me urdhër të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim që nga data 19.02.2019.