Ishte pikërisht kjo pikë që pas rreth 6 muajsh bojkot, solli në parlament opozitën shqiptare, pasi buxheti u kthye nga presidenti për të reflektuar edhe kërkesat e studentëve që protestojnë prej dy javësh për një buxhet më të lartë për arsimin e lartë.
Teksa fjalën e mori kryeministri Edi Rama, duke thënë se do të vazhdojë dialogun e vështirë me studentët, deputeti i Partisë Demokratike Endri Hasa është ngritur i revoltuar nga karrigia e tij dhe ka tentuar të qëllojë me vezë kreun e qeverisë. Rama tha se s’do të fliste shumë në parlament, dhe kohën e tij prej 40 minutash fjalim, do ja dhuronte liderit demokrat Basha, pasi vetë Rama do të vijonte dialogun me studentët e Mjekësisë. Në këtë moment, u çua deputeti Hasa duke hedhur ndaj Ramës sende që kishte në tryezën e tij.
Reagimi i vetëm i Ramës ishte: “Merreni nxirreni jashtë këtë”
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi mori vendim për përjashtimin nga seanca të deputetit të Partisë Demokratike. Ndërsa seanca u ndërpre, dhe forcat e gardës nxorrën nga salla deputetin.
Në nisje të seancës, kryedemokrati Lulzim Basha foli me një gjuhë të ashpër ndaj përfaqësuesve të mazhorancës dhe vetë kryeministrit, duke i quajtur horra dhe hajdutë.
Reagimi i ashpër erdhi pasi në nisje të seancës, mazhoranca, përmes kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, kërkoi që në rend dite te futet edhe Kodi Zgjedhor. Kjo është kundërshtuar fuqishëm nga opozita.
“Jeni të poshtër si dreqi po bëni si budallenj si gomeri. E dini mirë që ka një komision, c;a po bëni ju këtu shou po bëni? E keni marrë mesazhin nga ndërkombëtarët. Jeni hileqarë. Doni ju reformë zgjedhore. Del këtu shoku trafikant i cili do bëjë pallate tek unaza e re dhe na flet për reformë zgjedhore. Tufë hajdutësh, banditësh. Gjysma prej jush duhet të jeni në burg, duke filluar me ty që zgërdhihesh aty. Lërini gomarllëqet, tufë horrash dhe banditësh. Ke shkelur kushtetutën, ke shkelur procedurën, keni kap gjithçka, po kap edhe BSH. Vetëm banka të ka mbetur pa e kap, por do e shihni ku do të përfundoni”, tha Basha.
Ndërkohë jashtë Parlamentit, studentët mbajnë protestë për plotësimin e 8 kërkesave të tyre, pa asnjë negociim.