Fjalë Kyçe

“E sfidoj publikisht”, “Mbylle gojën”/ Përplasje mes deputetëve për takimin e djeshëm të Komisionit për Arsim

“E sfidoj publikisht”, “Mbylle gojën”/ Përplasje mes deputetëve për takimin e djeshëm të Komisionit për Arsim

Një përplasje ka ndodhur sot gjatë seancës së Kuvendit, ku kanë debatuar deputeti i VV-së, Ardian Gola, që është kryetar i Komisionit për Arsim dhe Kulturë, dhe deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, që është anëtare në këtë komision.

“Së pari dua të lidhem me fjalimin e kryetarit të Komisionit për Arsim dhe Kulturë, Ardian Gola, i cili thotë që kemi tregu maturi si mazhorancë në takimin dje me SBASHK-un. Mua si anëtare e Komisionit më ka ardhë turp se si ka shku ai takim dhe mazhoranca ka qenë qaq agresive ndaj atyre njerëzve, për keqardhje, sidomos edhe krejt televizionet e kanë pa se çfarë ka ndodh me deputetin dhe kryetarin e SBASHK-ut”, tha Dumoshi.

“Unë mundem me iu thënë kështu: Dje, në komisionin parlamentar për Arsim, kryetari i këtij komisioni, së bashku me profesorin Jahja Kokaj, deputetet Albena Reshitaj, Arjeta Fejza e Arjeta Rexhepi kanë qenë në nivelin më të mirë profesional të diskutimit… Ajo që ka eskalu me Dimalin është tjetër, tash unë po e sfidoj publikisht Vlora Dumoshin dhe po i ndihmoj çdokush që mundet me gjet në diskutimin e djeshëm të krejt mazhorancës, përfshirë edhe Albena Reshitaj, nëse vetëm një sekuencë, një sekond e gjen ku është përdorur gjuhë me të cilën sindikata është ndi e kërcënume, e ofendume, publikisht kam me dhënë dorëheqje”, tha Gola.

Pas tij vazhdoi Dumoshi me kundërreplikë.

“I nderuari kryetar po më vjen keq për frustimin tënd, unë cdo respekt për ju e kam pasë gjatë të gjitha takimeve të Komisionit për Arsim dhe Kulturë sepse detyrë e jona është më dhënë kontribut”.

Më pas, derisa po fliste për takimin e djeshëm, Dumoshi iu drejtua dikujt me “Mbylle gojën, se unë po flas, tani dil ti”.

“Kryetar a nuk është kërcënim nëse i thu kryetarit të Sindikatave mos e përmend kryeministrin në takim?”, tha Dumoshi, e cila vazhdoi të fliste edhe pse i mbaroi koha.