Një sulm me armë zjarri ndodhi brenda Urgjencës së Spitalit të Fierit mbrëmjen e së shtunës.
Pjesëtare te dy familjeve u përleshen me njëri-tjetrin në fshatin Levan me mjete të forta. Me pas ata kanë kërkuar ndihmë ne spital nën shoqërimin policisë.
Por përplasja mes dy familjeve nuk ka përfunduar me kaq. Përleshja ka vijuar edhe në prani të policisë. Një prej personave që shoqëronte të plagosurit i ka marrë armën efektivit të policisë dhe ka sulmuar në drejtim të kundërshtarëve të tij, duke lënë të plagosur rëndë një prej tyre. Polici ka qenë duke ndihmuar të plagosurit dhe kur po fuste barelën me një të plagosur në spital, i është rrëmbyer arma.
Pak minuta pas ngjarjes u arrestua autori qe i mori armën policit dhe sulmoi pacientët së bashku me një tjetër person. Por në kërkim janë edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë.
Në vendngjarje përveç policisë kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por drejtoresha e spitalit thotë se nuk ka vend për panik dhe se shërbimet vazhdojnë normalisht. Policia po heton për të zbardhur motivet e ngjarjes qe terrorizoi pacientë e mjekë në Spitalin Rajonal të Fierit mbrëmjen e se shtunës.