Një burrë “xheloz dhe i dhunshëm” i kishte thënë gruas së tij që të gëlltiste unazën e saj të dasmës përpara se ta rrihte për vdekje në një sulm “brutal”, është thënë në një gjykatë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Shaun Dyson, 28 vjeç, akuzohet për vrasjen e Lucy-Anne Rushton, 30 vjeçe, në orët e para të 23 qershorit në Andover, Hampshire – Angli.
Prokurori Simon Jones i tha Winchester Crown Court se dyshja ishin martuar në vitin 2010 por zonja Rushton u bë viktimë e një “historie të dhunës në familje”.
“Lucy u vra nga i pandehuri; ajo ishte viktimë e një rrahje të zgjatur dhe shumë të rëndë”.
Supozohet se Dyson, që e kishte goditur zonjën Rushton në mbrëmje para se të vdiste, ishte “zemëruar” nga një telefonatë që ajo mori nga një burrë me të cilin kishte qenë në një lidhje.
Ai tha që një dëshmitar e kishte parë të pandehurin t’i thoshte zonjës Rushton në orët e para: “Gëlltite unazën sepse nuk jemi më bashkë”.
Ai shtoi se dëshmitari tha që zonja Rushton e kishte futur unazën në gojë, por nuk e kishte gëlltitur, sepse ata e kishin parë atë në shkallët e shtëpisë më vonë.