Fjalë Kyçe

Edhe Britania kërkon përgjegjësi për rastin e dëbimit të shtetasve turq

Edhe Britania kërkon përgjegjësi për rastin e dëbimit të shtetasve turq

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se e përkrah deklarimin e sotëm të Ambasadës së Amerikës lidhur me mungesën e përgjegjësisë institucionale një vit pasi që Kosova dëboi 6 shtetas turq.

SHBA-ja sot tha se ishte e kënaqur me themelimin e komisionit hetimor për të zbuluar shkeljet ligjore për incidentin, por ka shtuar se duhet të sigurohet përgjegjësi e plotë për këdo që shkel ligjin, teksa u ka bërë thirrje liderëve që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues.

Në letrën e Ambasadës së SHBA-së gjithashtu thuhet se “nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës”.

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhej në reagim.

Në njoftimin mbështetës, Britania e Madhe ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgjegjshme dhe t’i nënshtrohen sundimit të ligjit.