Fjalë Kyçe

Edhe kjo ndodh në Kosovë: Në mungesë të mësueses, orët mësimore i mban prindi i një nxënëseje

Edhe kjo ndodh në Kosovë: Në mungesë të mësueses, orët mësimore i mban prindi i një nxënëseje

Nxënësit e shkollës fillore Elena Gjika të kryeqytetit, ka afër dy javë që kanë mbetur pa mësimdhënësen e tyre.

Kjo, shkaku i mungesës së saj për arsye të problemeve shëndetësore të familjarëve.

Si zgjidhje për të mos i humbur orët e mësimit këta nxënës, drejtoria e kësaj shkolle si zëvendësim ka angazhuar prindin e një nxënëseje të klasës.

Për këtë, disa prindër të fëmijëve kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me situatën e krijuar, por të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës.

Ata ankohen se një prind nuk mund të angazhohet, shkaku se nuk ka kualifikim dhe për këtë arsye, sipas tyre, mungon edhe cilësia në mësim-nxënie, raporton KTV.

Të njëjtën gjë po e thonë edhe nxënësit.

Drejtori i shkollës, Betim Sylejmani, thotë se shqetësimet e prindërve janë të pranueshme megjithatë, sipas tij, angazhimi i prindit ishte zgjidhja më e mirë për të mos humbur mësimin fëmijët.

Sipas tij, prindi në fjalë ka kualifikim dhe është lajmëruar vullnetare për t’i mësuar fëmijët dhe asistohet herë pas herë, nga një mësuese e paraleles tjetër.

Sylejmani ka thënë se mësuesja në fjalë ende nuk ka vendosur se a do të kthehet apo të marrë pushim pa pagesë dhe kështu sipas tij, nuk mundet që komuna të angazhojë si zëvendësim një mësimdhënës tjetër që është në listën e pritjes.

Në Drejtorinë e Arsimit në komunën e Prishtinës kanë thënë se për një periudhë të shkurtër kohore të mungesës së kësaj mësimdhënëseje, është e pamundur të angazhojnë një mësues të ri, për shkak të procedurave ligjore.