Fjalë Kyçe

Edhe në pikë të ditës në parkun e Ulpianës përdoren lëndë narkotike

Edhe në pikë të ditës në parkun e Ulpianës përdoren lëndë narkotike

Marihuana vazhdon të mbetet ndër substancat narkotike më të përdorura në Kosovë.

Të shqetësuar me këtë gjendje, janë banorët e lagjeve “Ulpiana” dhe “Dardania” në Prishtinë.

Në disa video, shihen disa persona të cilët dyshohen se kanë konsumuar substancë narkotike në parkun e lagjes Ulpiana.

Banorët përreth kanë treguar se kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës, por janë ndarë të zhgënjyer, pasi që policët janë vonuar shumë dhe nuk kanë treguar ndonjë interesim të veçantë.

E, në një video tjetër shihen dy zyrtarë policorë të cilët qëndrojnë të ulur në parkun e kësaj lagjeje.

Interesim më të madh nga institucionet, për parandalim të përdorimit të drogës te moshat e reja, kanë kërkuar edhe qendrat të cilat trajtojnë rastet e përdoruesve të drogës.

Policia e Kosovës ka arsyetuar vonesat me numrin e madh të punëve që ajo kryen, raporton KTV.

Ndërkohë, ka thënë se është duke ndërmarrë në vazhdimësi masa për parandalim të përdorimit të drogave.

Vetëm gjatë muajit mars të 2019-s, në rajonin e Prishtinës, janë 16 raste të iniciuara për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psiko-trope ose analoge.

Ndërkaq, në muajin janar të 2019-s, janë konfiskuar rreth 98 kg marihuanë, 39 gr kokainë, si dhe 5 hapa ekstazi.

Në muajin shkurt janë konfiskuar rreth 293 kg marihuanë, 77 gr kokainë, 3 kg heroinë, si dhe 81 hapa ekstazi.

Gjatë dymujorit të parë të 2019-s, janë 276 raste për substanca narkotike, ndërsa janë arrestuar 342 persona, e janë realizuar rreth 179 operacione.