Fjalë Kyçe

Edhe një grua e vrarë nga bashkëshorti, Çitaku: Situata është alarmante

Edhe një grua e vrarë nga bashkëshorti, Çitaku: Situata është alarmante

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Pejë, që dyshohet se është bërë nga bashkëshorti i viktimës. Ky është rasti i dytë në Kosovë brenda pak ditësh.

Çitaku ka thënë se situata është alarmante.

“Edhe një grua u vra sot në Pejë. Nga bashkëshorti. Situata është alarmante. S’po mundem me gjetë as fjalë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Viktima e sotme është gruaja e dytë e vrarë në më pak se një javë në Kosovë.

Të premten një 21-vjeçare mbeti e vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. I dyshuar në këtë rast është 36-vjeçari Valon Aliu, ish bashkëshorti i saj.

Gjatë ditës së djeshme dhjetëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë.

Në marshin e organizuat nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.

Ata bënë thirrje për siguri për vajzat dhe gratë teksa marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, para së cilës protestuan.