Fjalë Kyçe

Edhe një klub tjetër evropian në garë për ta transferuar Zhegrovën

Edhe një klub tjetër evropian në garë për ta transferuar Zhegrovën

Përkundër që afati kalimtar i janarit do të mbyllet vetëm pas disa orëve, interesim për yllin kosovar, Edon Zhegrovën, tanimë ka shprehur edhe klubi zviceran, Baseli.

Gazeta belge, voetbalnieuws.be, raporton se Zhegrova dëshiron të largohet nga klubi i tij, Genku, mirëpo Lazio dhe Milani nuk janë të gatshëm ta paguajnë shumën që po kërkohet për momentin nga klubi belg, transmeton Gazeta Express.

Pasi që Baseli e ka shprehur interesimin për Zhegrovën, Genku është duke tentuar ta arrijë një marrëveshje të përshtatshme për të gjitha palët e përfshira.

Kontrata e Zhegrovës me Genkun nuk përfundon deri verën e vitit 2020, mirëpo ylli i Kosovës mund të largohet nga klubi belg edhe më herët, për shkak të numrit të ultë të minutave në të cilët është aktivizuar në ndeshjet e këtij sezoni.

Zhegrova ka luajtur në vetëm shtatë nga 23 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Jupiler Pro League, nivelin e parë të futbollit në Belgjikë. Në katër prej këtyre shtatë ndeshje ishte titullar, ndërsa në tri të tjera u aktivizua nga banka rezervë.

Zhegrova, në një intervistë për Gazetën Express, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e largimit nga klubi i madh belg qysh në afatin kalimtar të janarit.

“Nuk dihet, jemi në bisedime. Edhe pse nuk kam pasur minuta të mjaftueshme me Genkun, unë kam punuar shumë dhe do të vazhdoj të punoj si gjithmonë. Tash jemi në bisedime për ta zgjedhur opsionin më të mirë për mua”, theksoi ish-futbollisti i FC Prishtinës.