Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJ) për ta reduktuar punën dhe për ta bojkotuar Qeverinë si pasojë e vendimit të saj për uljen e pagave në sistemin gjyqësor, të njëjtën gjë ka vendosur të mërkurën ta bëjë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
KPK-ja ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm pas vendimit të Qeverisë, derisa atë e ka vlerësuar si ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.
“Në këtë takim Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nxjerrë vendim ku kërkon nga Qeveria e së Republikës së Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin Nr. 03/109 të datës 23 nëntor 2022. Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Sipas KPK-së, nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me 8 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale.