Muzaher Shalën, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, e propozoi për ministër të ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ai pritet ta zëvendësojë Besim Beqajn e liruar nga detyra për shkak të aktakuzës në aferën “Pronto”, raporton KTV.
Mirëpo, Veseli ka vazhduar të heshtë në lidhje me një aferë tjetër, atë të provimit për noterë të rinj, të cilin e kanë kaluar shumë anëtarë e të afërm të njerëzve të PDK-së, si dhe kushëriri i tij.
Veseli nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së lidhur me provimin e noterëve, të cilin e kaluar edhe djali i axhës së tij, Hysni Veseli.
“Emërimi i Myzaferit dërgon mesazhin se në Dekadën e Re u japim hapësirë njerëzve të rinj dhe premtues. PDK është e vetmja që jep mundësi reale për të rinjtë. Do të vazhdojmë luftën e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Veseli.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për provimin e noterisë.
Ai ka thënë se beteja e Veselit për çlirim nga krimi e korrupsioni nuk po ecën ashtu siç kishte paralajmëruar.
“Beteja e Kadri Veselit për çlirim nga krimi e korrupsioni po shkon “shumë mirë”. Ende pa u mbushur një muaj mirë zaptuan Noterinë me gra, motra, kunata e familjarë. Të gjitha me pikë maksimale thanë. Vendosën në krye të Universitetit të Gjakovës militantë partiakë. Do të edukoheni tash e tutje nga këta. Përvetësuan qindra-mijëra euro për lobim. Nga Ministria e Integrimeve për imazhin e Kadrisë në Amerikë. Ec e bjeri në fije. Këta janë të varur e ndërvarur organikisht nga kapja. S’munden pa të sepse janë një me të. Prandaj çlirimi i Kosovës nga korrupsioni është lirim i Kosovës pikërisht nga këta”, ka shkruar Abdixhiku.
Rasti i noterëve, sipas Agron Demit nga Instituti “GAP”, tregon se koalicioni qeverisës ka kapur edhe sektorin joqeveritar.
“Përveçqë po i kap institucionet publike, ky koalicion është duke e uzurpuar edhe sektorin joqeveritar, vetëm shiheni shembullin e noterëve”, shkroi Demi.
Në mesin e 175 kandidatëve që kanë kaluar me sukses provimin e noterisë ka edhe familjarë dhe të afërm të anëtarëve të Komisionit të Provimit të Noterisë.