Fjalë Kyçe

Edhe Statovci kundër vendimit të Qeverisë: Nuk pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Edhe Statovci kundër vendimit të Qeverisë: Nuk pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Guxo, Jeta Statovci, ka dalë kundër shefit të qeverisë, Albin Kurtit, për mosekzekutimin e pagave për muajin shtator për mësimdhënësit që ishin në grevë.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se pagat mësimdhënësve duhet t’u jepen, pasi vendi është në krizë.

“Si partnerë në qeverisje me VV-në na bashkon vizioni i njëjtë që kemi, që shtetit tonë të mbarën ndërsa shpresën për një të ardhme dhe jetë më të mirë. Sigurisht se deri më tani bashkërisht kemi arritur shumë suksese me të cilat pajtohet lehtësisht cilido individ e madje edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e shumë punë na presin së bashku deri në realizimin e plotë të synimeve tona”,shkroi ajo.

“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i jane kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator”, tha Statovci.

“Pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga, sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër”, përfundoi Statovci.