Fjalë Kyçe

Ekipi olimpik i xhudos niset drejt Japonisë, kërkon medalje në “Tokyo 2020”

Ekipi olimpik i xhudos niset drejt Japonisë, kërkon medalje në “Tokyo 2020”

Ekipi olimpik i xhudos është nisur sot drejt Tokios së Japonisë, ku do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Xhudistët të prirë nga trajneri Driton Kuka, do të vendosen fillimisht në Komunën e Sanjos, ku do të zhvillojnë përgatitje. Më pas, ata do të transferohen më 21 korrik në fshatin olimpik në Tokio.

Kosova në Olimpiadë do të përfaqësohet me pesë xhudistë: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova. Ndërsa, me ekipin drejt shtetit aziatik udhëtoi edhe Flaka Loxha, në cilësinë e sparing partneres. Para nisjes, trajneri Kuka ka folur për fazën përgatitore që do ta zhvillojnë në Sanjo.

“Qyteti Sanjo është nikoqir i ekipit tonë, qytet ky që na ka pritur edhe para Botërorit 2019. Atje do t’i përshtatemi klimatizimit të kohës dhe do të kemi përgatitje, në të cilat nuk lejohen sparingjet me sportistë tjerë, për shkak të pandemisë Covid 19. Unë besoj se ekipi është mjaftueshëm në numër për të ndihmuar njëri-tjetrin, si dhe për të mbajtur performancën dhe nivelin e përgatitjeve që tashmë e kemi arritur”, ka thënë trajneri i suksesshëm kosovar.

Të pesë xhudistët janë kualifikuar me normë olimpike. Prej tyre, më së shumti gjasa për medalje ka Distria, e cila është në formë jetësore. Por, prapa nuk mbeten as kampionia olimpike, Majlinda, por edhe Nora. Kosova do të marrë pjesë në Olimpiadën e Tokios me 11 sportistë.

6 prej tyre me norma olimpike dhe 5 m ftesa. Pjesa tjetër e ekipit olimpik udhëton prej 19 korrikut e tutje. Olimpiada e shtyrë për një vit shkaku i pandemisë do të fillojë më 23 korrik dhe do të mbyllet më 8 gusht. Kosova synon ta fitojë së paku një medalje në Olimpiadën “Tokyo 2020”. /Gazeta Express/