Tashmë është zyrtare, Artur Magani nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Feronikelit.
Sulmuesi peqinas ka ndërprerë me mirëkuptim kontratën me ekipin kampion në IPKO Superliga në Kosovë dhe tashmë është në pritje të ofertave serioze. Edhe pse nuk mban numrin 9 mbi shpinë,
Magani është një sulmues tipik zone i cili spikati që në vitin e tij të parë në Superligën Shqiptare ku tundi plot 9 herë rrjetën me Teutën dhe më pas shkëlqeu në Superligën Kosovare ku në sezonin e tij të parë me Lirinë e Prizrenit shënoi 14 gola.
Performancat e tij të mira bënë që Magani të kërkohej nga disa klube, por ai zgjodhi Feronikelin me të cilin u shpall Kampion i Superligës dhe Kupës në Kosovë.
Aventura e tij me ekipin nga Drenasi ka përfunduar dhe Magani ka dhënë një intervistë ekskluzive për intv.al ku ka folur për shumë detaje, objektivat e tij, emocioniet kur është ndeshur kundër babait dhe vëllait, si dhe diferencat midis kampionateve në Shqipëri e Kosovë.
2 trofe të fituar, me çfarë note e vlerësoni këtë sezon, ju ka mbetur ndonjë peng nga eksperienca juaj në Kosovë?
Mendoj se ka qenë një sezon pozitiv, nuk mund të them peng, por dëshira ime do ishte të kisha më shumë minuta
Nuk e keni gjetur shpesh herë rrugën e rrjetës këtë sezon, çfarë nuk shkoi mirë me Maganin?
Sigurisht që sulmuesi matet me gola dhe unë nuk kam shënuar mjaftueshëm. Është edhe përgjegjëisa ime, por them se trajneri që kishai nuk besoi shumë te unë.
Keni oferta nga klubet kosovare apo ato shqiptare, ku preferoni të luani?
Kam oferta nga 2 klube kosovare, do të shoh ofertën më të mirë dhe do vendos për të ardhmen time.
Cili kampionat ka më shumë kualitet? Ku qëndrojnë diferencat?
Mendoj se kampionati shqiptar ka më shumë kualitet se ai kosovar. Diferenca qëndrojnë te terrenet dhe profesionalizmi.
Vëllain më mirë kundërshtar apo bashkëlojtar? Ndeshja më emocionuese, ajo kundër babait apo vëllait?
Vëllain dhe babain më mirë kundërshtar, emocioniet më të mëdha ishin kur kam luajtur kundra babait i cili më mësoi ABC-në e futbollit.
Dikur ishit pjesë e U-19 së Shqipërisë, e ka si objektiv Magani Kombëtaren A?
Kombëtarja është ëndërr për çdo lojtar, unë nuk kam patur karrierë shumë të pasur për të luajtur me Kombëtaren, por mendoj se shumë lojtar të mirë injorohen nga Kombëtarja.
E keni ndjekur Kampionatin Shqiptar? Si ju është dukur?
Të gjithë ekipet janë me fat që nuk është Skëndërbeu i dikurshëm që për mendimin tim është ekipi më i mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sigurisht që edhe Kastrioti ka bërë një fazë të dytë shumë të mirë dhe ka merita të mëdhaja. Mendoj që në Shqipëri preferojnë të huaj që marrin nga 5 mijë Euro në muaj dhe shënojnë 2 gola, sepse ka sulmues nga Shqiperia qe paguhen me pak dhe japin shumë. Perveç Soëe dhe Ekuban nuk mendoj se ka pasur sulmues të huaj më të mirë se këta që janë këtu.
Cili ka qenë mbrojtësi që ju ka vënë më shumë në vështirësi si në kampionatin shqiptar ashtu edhe në atë kosovar?
Mbrojtësat më të fortë me të cilët jam përballur janë Ylli Shameti dhe Radas.
Objektivi i rradhës i Artur Maganit?
Objektivi është që në cilindo ekip që do shkoj, të jap më të mirën time dhe të shënoj sa më shumë.
Faleminderit për intervistën Artur Magani!