Fjalë Kyçe

Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti: Ligji flet qartë, shoferi nuk mund të ngasë mjetin më shumë se 50 orë në javë

Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti: Ligji flet qartë, shoferi nuk mund të ngasë mjetin më shumë se 50 orë në javë

Të paktën 10 veta humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë mbetën të plagosur nga pasojat e një aksidenti në Kroaci.

Autoritetet kroate thanë se një autobus me targa të Kosovës dhe ishte në një rrugëtim të rregullt nga Gjermania për në Prishtinë doli nga autostrada ndërmjet Zagrebit dhe kufirit të Serbisë të dielën në mëngjes afër Slavonski Brodit.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti thotë se aksidenti në Kroaci ka ndodhur në një kohë që është shumë e rrezikshme për vozitje siç është ora 6:00.

Ai ka sqaruar legjislacionin aktual që ka Kosova se sa orë mund të vozisë një shofer.

“Ligji për transportin rrugor flet shumë qartë. Një shofer ka të drejtë të ngasë automjetin për katër orë e gjysmë, pastaj 45 minuta duhet të ketë pushim, pastaj edhe katër orë e gjysmë tjera mund të vozisë e më pas duhet të ketë 9 orë pushim. Pra është një situatë ku nuk mund të kalojë dhjetë orëshin”, tha Ahmeti në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.

Ahmeti thotë se 10-orëshi i ngasjes mund të tejkalohet vetëm dy herë brenda javës.

“Thënë ndryshe, brenda javës nuk lejohet më shumë se 50 orë ngasje të mjetit”.

Eksperti i Komunikacionit thotë se në rastin e tragjedisë në Kroaci si masë preventive do të duhej të ishte edhe shoferi i tretë.

“Megjithatë gjumi nuk mund të kontrollohet”.

Ahmeti thotë se në Kosovë ka masa të ulta preventive në raport me parandalimin e aksidenteve.