Fjalë Kyçe

“El Clasico” për trofe, sërish në Arabi Saudite

“El Clasico” për trofe, sërish në Arabi Saudite

Për vitin e tretë rresht, Barcelona dhe Real Madridi do të përballen sërish me njëri-tjetrin në finale të Superkupës së Spanjës.

Të dielën nga ora 20:00 në “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite, dy skuadrat ikonë të Spanjës e synojnë trofeun e parë të vitit.

Barcelona e siguroi vendin në finalen e edicionit të 41-të të Superkupës pas fitores 2:0 ndaj Athletic Bilbaos të mërkurën, ndërsa Real Madridi fitoi 3:0 në gjysmëfinalen tjetër të enjten ndaj Mallorcas së Vedat Muriqit.

Madrilenët ende e kanë të freskët disfatën 4:0 në muajin tetor nga Barcelona. Por, Reali e ka gjetur formën pozitive dhe ka rreshtuar fitoret në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Tani synojnë që ta mbrojnë trofeun e fituar në edicionin e kaluar.

“Ne duhet të mendojmë se çfarë na ka ndodhur në ndeshjen e parë sepse na kanë mposhtur në La Liga”, ka thënë trajneri Carlo Ancelotti të shtunën në konferencën për shtyp. Ancelotti dhe Reali e synojnë trofeun e dytë brenda një muaji, pasi në dhjetor e kanë fituar edhe Kupën Interkontinentale.

“Ne kemi bërë një analizë të qartë dhe duhet t’i përsërisim gjërat që i kemi bërë më herët dhe t’i shmangim gabimet. ‘Clasico’ është gjithmonë ‘Clasico’, por finalja e shton presionin”.

Ancelotti ka bërë të ditur se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për lojë, përfshirë edhe mesfushorin anglez, Jude Bellingham, që pësoi lëndim muskulor në gjysmëfinalen ndaj Mallorcas.

Tekniku italian ka theksuar se trofeu i Superkupës është i rëndësishëm dhe në bazë të statistikave, sa herë që Reali e ka fituar këtë trofe, ka pasur edicion të suksesshëm.

“Është garë që të jep shumë motivim. Barcelona është rivale historike dhe përballjet me të gjithmonë janë të vështira. Do të jetë vështirë për ne dhe ata. Rezultati i ndeshjes nuk mund të parashikohet”, ka shtuar Ancelotti.

Barcelona nga ana tjetër ka marrë lajm pozitiv, pasi Ronald Araujo do të jetë i gatshëm për lojë në finale. Këtë e ka konfirmuar trajneri gjerman Hansi Flick.

“Ronaldi është kthyer më i fortë se kurrë. Ai është opsion i shkëlqyer për ne, shumë profesionist dhe i gatshëm për lojë. Nuk i dëgjoj spekulimet. Jam i lumtur që e kam në skuadër. Ne po kalojmë sezon të mirë, kemi bërë mirë në përgjithësi. Duhet të jemi të fokusuar. Të luajmë mirë për këtë klub. Kjo është ajo që duam”, ka deklaruar po të shtunën Flick në konferencën për media.

Barcelona kishte telashe me regjistrimin e Dani Olmos dhe Pau Victorit. Por, u konfirmua se ata kanë marrë leje të përkohshme, dhe kjo do të thotë se që të dy mund të luajnë nëse vendos trajneri. Ata ishin të regjistruar vetëm për pjesën e parë të sezonit.

“Po, Olmo mund të luajë. Ai është fizikisht dhe mendërisht i përgatitur dhe është shumë i lumtur për mundësinë që iu dha”, ka thënë Flick.

Barça është skuadra me më së shumti trofe të Superkupës, 14 gjithsej, një më shumë se Real Madridi.

Para ndeshjes, Flick ka nënvizuar se paraqitja e disiplinuar është e nevojshme përballë njërit prej ekipeve më të mira në botë, pavarësisht fitores bindëse në “Bernabeu”.

“Duhet të jemi të fokusuar për 90 minuta dhe të bëjmë sa më pak gabime. Reali është i jashtëzakonshëm, fiton topin shpejt dhe është shumë i mirë në kundërsulme. Duhet të jemi të përgatitur. Kjo është Superkupë, ‘Clasico’, shans për ta treguar veten. Nëse triumfojmë, do të ishte fitore e madhe për klubin”, deklaroi Flick.

Superkupa e Spanjës është turne që organizohet çdo vit. Nën formatin aktual kanë marrë pjesë katër ekipe, të cilat luajtën në gjysmëfinale fillimisht. Pjesëmarrës janë kampioni dhe nënkampioni i La Ligas si dhe fituesi i Kupës së Mbretit dhe finalisti.

Në vitin e kaluar, Real Madridi e mposhti në finale Barcelonën 4:1, ndërsa në edicionin e parafundit, Barcelona kishte fituar 3:1 ndaj klubit mbretëror.

Në La Liga, Real Madridi ka 43 pikë nga 19 ndeshje të luajtura, ndërsa Barcelona e treta ka 38 pikë.