Ka nisur rinumërimi i 530 vendvotimeve të tjera për të cilat ka vendosur sot KQZ që të rinumërohen.
Zëdhënsi i KQZ-së në një intervistë për RTV Dukagjinin ka thënë se grupet numëruese janë duke filluar rinumërimin.
“KQZ ka vendosur sot të rinumrohen 530 vendvotime të tjera. Në këto momente grupet numëruese apo puntorët që do të fillojnë numërimin janë duke ardhur dhe duke i zënë vendet e tyre. Brenda një kohe të shkurtër do të nisë rinumrimi. Janë 23 tavolina rinumruese dhe shpresojmë që ky rinumrim të kryhet sa më shpejt”, ka thënë ai përcjell Telegrafi.
Elezi ka thënë se janë pesë arsye pse KQZ mori vendim që të rinumërohen këto 530 vendvotime.
“KQZ e mori këtë ëvendim pas rekomandimeve të QNR-së, ku ka pranuar materialin zgjedhor pas ditës së zgjedhjeve, dhe gjatë kësaj kohe kur ka pranuar materialin ka pasur gjetje të natyrave të ndryshme. Në bazë të rekomandimit të QNR-së. aryset për këtë rinumrim kategorizohen në pesë grupe. Në 24 vendvotime ka probleme teknike me formularët e rezultateve, në 81 vendvotime subjekti politik nuk ka vota ndërsa kandidatët kanë vota, në 89 vendvotime kandidati ka më shumë vota se subjekti politik, në 187 tjera kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik, dhe në 149 vendvotime tjera janë ëpr shkak të gabimit teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike. Pas çdo rinumrimi KQZ do të publikojë formularët e rinumrimit dhe formularët e vjetër q ëjanë plotësuar ditën e zgjedhjeve dhe palët e interesuara mund të bëjnë krahasimin:, ka theksuar ai.
Ai nuk ka dhënë ndonjë kohë të caktuar se kur mund të përfundojë rinumërimi i 530 vendvotimeve.
“Sa kohë mund të marr është vështirë ta përcaktojë, por varet nga dinamika këtu dhe sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në vendvotim. Është vështirë ta them një kohë të saktë se kur do të përfundoj procesi”, është shprehur ai duke treguar se kur do të numërohen votat me kusht.
“Votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta do të numërohen pas mbarimit të këtij rinumërimi, sepse tani të gjitha tavolinat janë të zëna me rinumrimin e 530 vendvotimeve”, është shprehur ai.
Ndryshe sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen edhe 530 vendvotime.
Vendimi i KQZ-së është marrë në mbledhjen e mbajtur sot, pas rekomandimeve të Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR).
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se duhet të informohen subjektet politike për vendimin për rinumërim, dhe i ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë të qëndrojnë në QNR.
“I bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë se munden me qëndrua në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) dhe t’i marrin provat se në ato vendvotime janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme. Askush nuk e ndalon as Prokurorinë e as Policinë që nga sot të jetë në QNR dhe t’i merr automatikisht edhe emrat edhe numrat e vendvotimeve”, ka thënë Daka gjatë mbledhjes së KQZ-së.