Lëvizja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me emërimin ambasadorit të saj në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar për dialogun Kosovë-Serbi, me skepticizëm është pritur në Bruksel.
Derisa BE-ja është duke kaluar në një fazë tranzicioni pas zgjedhjeve, veprimi i SHBA-së i ka zënë në befasi dhe, siç ka raportuar Koha Ditore të shtunën, ka skepticizëm për rolin e të dërguarit për dialogun dhe atij për Ballkanin Perëndimor, por edhe për hapat më tutje, raporton KTV.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në një përgjigje dhënë Evropës së Lirë, ka theksuar se i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe ambasadori Grenell, do të punojnë ngushtë që të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se një nga problemet e palës kosovare ka qenë qëndrimi ndryshme që ka pasur, çka edhe ka dobësuar pozicionin e saj.
Sipas Krasniqit, pavarësisht përbërjes së qeverisë së ardhshme, taksa ndaj Serbisë do të jetë një prej çështjeve kryesore që duhet adresuar.
Megjithatë, para taksës, Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë se duhet kërkuar ndaljen e fushatës serbe për tërheqje të njohjeve.
Komentet, Berisha i ka bërë me rastin e prezantimit të gjetjeve nga punimi “Njohja e Kosovës përballë fushatës së Serbisë, për tërheqjen e njohjeve”.
Në të theksohen edhe efektet e kësaj fushate, e cila ka rezultuar me tërheqjen e 13 njohjeve, gjë që ka dobësuar pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke e bërë vitin 2019 të parin që nga shpallja e pavarësisë, kur nuk është sjellë asnjë njohje e re.