Fjalë Kyçe

Ende nuk dihet se si vdiq 60 vjeçari nga Mitrovica në rrugën “Robert Dole”

Ende nuk dihet se si vdiq 60 vjeçari nga Mitrovica në rrugën “Robert Dole”

Mbesin të pasqaruara rrethanat e vdekjes së punëtorit në rrugën “Robert Dole”

Institucionet e shtetit nuk kanë qenë në gjendje, të premten, që të sqarojnë saktë rrethanat se si të enjten mbrëma ka humbur jetën një punëtor nga Mitrovica, në vendin e tij të punës, në rrugën “Robert Dole”, në lagjen “Lakërishtë” në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.

Të dhënat e disa institucioneve për rastin nuk janë në përputhje. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, personi “ka rënë nga kati i 6-të i ndërtesës ku ka qenë duke punuar”, ndërkohë që në Inspektoratin e Punës kanë thënë se sipas raportit preliminar që e ka bërë inspektori, ai “nuk ka rënë nga lartësia duke punuar”, por ka rënë në katet e nëndheshme, “nga kati përdhes ose kati -1”. Në Prokurorinë Themelore kanë thënë se rastin e kanë cilësuar si “vdekje të dyshimtë”, dhe se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e tij.

Punëtori që ka humbur jetën është Behram Behrami, rreth 60 vjeç, nga Komuna e Mitrovicës.

Në vendin ku ka ndodhur ngjarja të premten nuk është punuar, ndërkohë që as kompania investuese që është “Pcc Prishtina City Center”, e as kompania që ka qenë e nënkontraktuar për kryerje të punimeve “Alba Group”, nuk kanë dhënë sqarime rreth ngjarjes.