Fjalë Kyçe

ENEMO: Zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta, mungesa e reformës zgjedhore ndikon në sigurinë juridike

ENEMO: Zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta, mungesa e reformës zgjedhore ndikon në sigurinë juridike

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ENEMO (IEOM) në Kosovë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ka vlerësuar se zgjedhjet lokale janë mbajtur në një mjedis të qetë, pavarësisht tensioneve në veri, pasigurisë dhe shtyrjes së mundshme për shkak të COVID-19, megjithatë vonesat e vazhdueshme në kryerjen e reformave zgjedhore kanë dërguar në pikën ku rregullat janë të paqarta dhe konfiktuale, gjë që ndikon edhe në sigurinë juridike.

Shefi i këtij misioni, Pierre Peytier në një konferencë për media tha se misioni i tyre ka qenë vlerësimi i mjedisit politik dhe elektoral, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të votuesit, si dhe organeve të menaxhimit të zgjedhjeve, fushata, barazia gjinore, mjedisi i mediave, zgjidhjet e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe aspektet e tjera vendimtare të këtij procesi, bazuar në standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe bazuar në kornizën ligjore të Kosovës

“Zgjedhjet lokale janë mbajtur në një mjedis të qetë, pavarësisht tensioneve në veri, pasigurisë dhe shtyrjes së mundshme për shkak të COVID-19, megjithatë vonesat e vazhdueshme në kryerjen e reformave zgjedhore kanë quar në pikën ku rregullat janë të paqarta dhe konfiktuale, gjë që ndikon edhe në sigurinë juridike. Administrata zgjedhore është e centralizuar në një masë të madhe dhe në përgjegjësi që iu është caktuar KQZ-së. Mekanizmat efektiv të mbikëqyrjes, veçanërisht që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve dhe financimin e fushatës mbeten për t’u zbatuar”, tha ai duke shtuar se në ditën e zgjedhjeve kanë vëzhguar procesin në disa komuna dhe disa incidente të vogla nuk kanë penguar këtë proces.

Elene Nizharadze, zëvendëshefe e misionit, tha se një sërë rregullash kërkojnë përmirësim në mënyrë që të përmirësohet mjedisi elektoral.

“Gjatë viteve të fundit reforma zgjedhore ka dështuar disa herë, duke penguar kështu miratimin e ndryshimeve përkatëse në legjislacion, andaj ato çështje që kërkojnë ndryshime përkatëse përfshijnë por nuk kufizohen në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, financimin e fushatës zgjedhore, keqpërdorimin e burimeve shtetërore, listën dhe përshtatshmërinë e votuesve dhe më shumë”, tha ajo, shkruan kp.

Sipas saj, personat me aftësi të kufizuara kanë probleme të ndryshme për ta realizuar të drejtën e tyre për të votuar.

Boshko Nenozhiq, analistë i administratës zgjedhore dhe vëzhgues i KQZ-së tha se KQZ ka arritur të organizoi zgjedhjet në mënyrë efektive.

“Puna e KQZ-së ishte kryesisht transparente dhe seancat e tyre ishin të hapura për vëzhgues, megjithatë shumë procesverbale të KQZ-së dhe një numër vendimesh të KQZ-së nuk u postuan në faqen e KQZ-së në mënyrë të duhur….sistemi i administrimit të Kosovë është shumë i centralizuar dhe shumica e aktiviteteve dhe vendimeve në lidhje me zgjedhjet merret nga KQZ. KKZ-të kanë një rol mjaft teknik, madje edhe në zgjedhje vendore, gjë që ushtron presion dhe ngarkesë shtesë mbi sekretariatin e KQZ-së dhe stafin e tyre “, tha ai.

Përndryshe, gjatë kësaj konference u tha se ky mision do të vazhdojnë monitorimin e zgjedhjeve edhe në balotazh.