Fjalë Kyçe

Enver Hasani ushtron kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Shtetit

Enver Hasani ushtron kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Shtetit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka ushtruar kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorit të Themelores, Kujtim Munishi dhe kundër policit, Avni Namani.

Denoncimi është bërë me qëllimin të zbardhet e vërteta mbi “diplomën e dyshimtë”, të kryeprokurorit Lumezi, shkruan sot Koha Ditore.

“Koha Ditore” ka siguruar një kopje të kallëzimit penal, i cili është dorëzuar të premten në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Hasani pretendon se Aleksandër Lumezi që nga viti 2000 e deri më tani “ka përdorur dokumentin e falsifikuar, përkatësisht certifikatën për dhënien e provimit të jurisprudencës, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se provimin e jurisprudencës nuk e ka të kryer, dhe me këtë certifikatë është inkuadruar në sistemin prokurorial, duke kaluar në të gjitha nivelet e sistemit prokurorial, deri në krye të Prokurorisë së shtetit të Kosovës”.

Sipas kallëzimit, Dosja e manipuluar ndodhet në Arkivin e Kosovës, “dhe i cili manipulim është bërë transparent për publikun nga programi televiziv hulumtues ‘Betimi për Drejtësi’ (i emituar në RTK), nga gazeta e përditshme ‘Koha Ditore’ dhe nga KTV-ja”.

“Prejse është organizuar provimi i jurisprudencës në Kosovën e ish-Jugosllavisë, asnjëherë nuk janë lëshuar certifikata në dy gjuhë, por vetëm në një gjuhë: për shqiptar vetëm shqip, për të tjerë ekskluzivisht në ish-gjuhën serbo-kroate, si gjuhë zyrtare e kohës deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në pranverë të vitit 1992”, shkruan në kallëzim.