Fjalë Kyçe

Erdhën për pushime nga Franca, zhduket çifti Binçe në portin e Durrësit

Erdhën për pushime nga Franca, zhduket çifti Binçe në portin e Durrësit

Në kërkim të çiftit Bince ishte misioni i kësaj mesdite 7 shtatori nga emisioni ’Pa Gjurmë’ në Report TV. Vëllai i Agimit, Skënderi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Aleksandra thanë për moderatoren Odeta Dume se Agim dhe Xhevrie Binçen kishin mbërritur në Shqipëri në gusht të vitit 2018 për të kaluar disa muaj pushime në vendlindje, si dhe për të takuar të afërmit e tyre në Tiranë.

Të pajisur me dokumenta të rregullta, ata jetonin prej 20 vitesh në Lion të Francës dhe nuk kishin fëmijë. Çifti qëndroi në Shqipëri deri në fillim të tetorit të po atij viti, kohë në të cilën ata do të ktheheshin sërish në Francë. Skënderi thotë se me të vëllanë u ndanë paqësisht dhe se ata nuk kishin shfaqur ndonjë shqetësim, përveçse kishin disa probleme me shendetin e tyre.

Para se të ndahej Agimi i kishte lënë në dorë një letër, ku shkruhej kjo adresë: W3RUE PHILIPPE FABIA 8EM LION 69008 FRANCE, vend ku ata banonin në Lion. Por që nga ndarja me të vëllanë, në portin e Durrësit kur edhe e përcolli për herë të fundit humbi çdo kontakt me të. Skënderi i telefonoi disa orë më pas, për t’u siguruar nëse e kishte kaluar kufirin apo jo, por telefonat e të dyve rezultuan të fikur. Sakaq burrë e grua ishin zhdukur.

Në 2018 Agimi dhe Xhevrije kanë ardhur në Shqipëri për pushime. Herën e fundit u takuam në shtëpi, dilnim bashkë dhe konsumonim kafe. Erdhi dita që ato do të iknin në Francë, ndërsa ne në Itali. U takuam në portin e Durrësit dhe qëndruam pak dhe më pas u ndamë. Ato u larguan me tragete të ndryshme, por që nga ai moment nuk dihet asgjë më për fatin e të dyve. Gjëndja e Agimit nuk ishte e mirë sepse rrinte tek shkallët dhe nuk lejonte askënd që të hynte brënda. Edhe bashkëshortja me probleme ishte. Ata vinin çdo vit në Tiranë.

Pas nje viti, Skënderi dhe bashkëshortja e tij Aleksandra vendosën të udhëtojnë drejt Francës në adresën ku ata jetonin në Lion. Fatkeqsisht askush nuk e hapi derën. Ata pyetën fqinjët e tyre, ku këta të fundit i pohuan se Agimi dhe Xhevrija ishin larguar nga banesa disa muaj më parë.

U nisëm në Francë pas humbjes së tyre dhe shkoj tek e njëjta adresë. Askush nuk e hapi derën. Fqinjët na treguan se kishte 6 muaj që kishin ikur në Shqipëri. Ne u shokuam, se ata nuk kanë mbërritur në familje. Fqinja na dërgoi në polici, por atje nuk ndodhej shefi. Fqinja na tha që të largoheshim dhe të mbeteshim në kontakt, do të na ndihmonte. Ne u larguam, por ajo nuk na e hapi më telefonin.

Ndërsa dyshime se diçka e keqe ka ndodhur me fatin e tyre ngre edhe kunata në studion e emisionit ’Pa Gjurmë’

Nuk e dim sesi u shkëputën. Mendojmë se në Francë ka ndodhur dicka, mund të jenë shkëputur. Fqinja tha se ato kishin ikur me taksi dhe do ktheheshin në Tiranë. Unë e kam kërkuar Agimin edhe nga Italia në ambasadën në Paris dhe ato na drejtuan tek ju. Uroj që të jenë të dy mire, kudo që janë, të shkojmë t’i shohim.

Me sytë e mbushur me lot vëllai i Agimit, Skënderi bën një apel të fortë

Denoncim kemi bërë vetëm në Itali, në Shqipëri jo, sepse qëlloi që u mbyllën rrugët. Uroj që Agimi të jetë mirë. Ta takojmë ta ndihmojmë sepse mund të jetë vetëm. Ta di ku është shkojmë direkt atje.