Fjalë Kyçe

Erdogan teston marrëdhëniet Turqi-Serbi përmes Kosovës

Erdogan teston marrëdhëniet Turqi-Serbi përmes Kosovës

“Në qoftë se kushdo sjell vendim për njohjen e Kosovës si të pavarur, në të njëjtin moment ne do të nisim fushatën për tërheqjen e njohjeve”, ka deklaruar, më 22 korrik, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiqi në këtë mënyrë i është përgjigjur paralajmërimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se do të punojë për njohjet e reja të Kosovës.

“E respektoj mjaft presidentin turk Erdogan dhe dëshirojmë marrëdhëniet më të mira me Turqinë, por ne e kemi vendin dhe interesat tona dhe ne do të sillemi në harmoni me to”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në Kragujevc, qytet në Serbi.

Një ditë më herët, presidenti i Serbisë është thirrur në Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën, në shtator të vitit 2020, e ka nënshkruar me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, nën përkujdesjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Beogradi dhe Prishtina kanë obligim që të përmbahen nga fushata e tërheqjes dhe lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Vuçiq, më 21 korrik, si dhe ka shtuar që lidhur me paralajmërimin e Erdoganit, do “të përpiqet që të bisedojë” me kolegun turk.

“Kjo nuk është turke”, ka thënë Vuçiq gjatë vizitës në manastirin Manasija, në lindje të Serbisë.

Çfarë ka thënë Erdogan?

Siç ka transmetuar, më 19 korrik, agjencia Reuters, Erdogani ka deklaruar që “shpreson të ketë mundësinë të flas me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me njohjen ndërkombëtare të Kosovës, në mënyrë që të punojmë së bashku që edhe më shumë shtete të njohin Kosovën”.

“Ne përpiqemi që sa më shumë vende në botë të njohin Kosovën”, ka thënë presidenti turk në prag të vizitës së tij në pjesën turke të Qipros.

Sipas listës së publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, janë 117 vende që e njohin pavarësinë.

A do t’i luhatë, një paralajmërim i tillë, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Turqisë, të cilat, gjatë viteve të fundit janë intensifikuar në planin politik dhe ekonomik?

Një gjë të tillë nuk e beson analisti politik Firat Hamdi nga organizata think-tank Feniks Politik.