Fjalë Kyçe

Erdogani uron Kurtin, i kërkon ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Erdogani uron Kurtin, i kërkon ta rishikojë çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në letrën e urimit, Erdogan ka shprehur shqetësimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që ta rishikojë këtë vendim brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare.

“Turqia, si gjithmonë, edhe në periudhën e ardhshme, do të solidarizohet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës. Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni, gjithashtu, shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për Qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Me këtë rast, përsëris urimet e mia më të mira dhe lumturinë tuaj, si dhe prosperitetin dhe mirëqenien e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”, ka shkruar Erdogan në letër.

Erdogan në letër, po ashtu, ka thënë se përfshirja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Qeverinë Kurti, parti kjo që ka fituar dy mandatet e rezervuara për komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, është një tregues se Kurti u kushton vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk.

Kurti ka pranuar letra urimi edhe nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, nga kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ai i Çekisë, Andrej Babis dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.