Mbrëmë, ylli i Tottenhamit dhe Danimarkës, Christian Eriksen, luajti në “Fadil Vokrri”, për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës. Afër fundit të ndeshjes, një tifoz hyri në fushë dhe e përqafoi danezin. Tani, futbollisti ka treguar çfarë i tha tifozi.
Gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Kosovës dhe Danimarkës, Erikseni u inkuadrua në lojë gjatë pjesës së dytë, pasi që trajneri Age Heraide kishte vendosur ta pushonte gjatë pjesës së parë.
Ai e shënoi një gol në barazimin me rezultat 2:2 ndaj Kosovës, mirëpo një tifoz kosovar nuk ishte aspak i zemëruar për këtë gol të danezit.
Ai u fut në fushë afër përfundimit të ndeshjes dhe e përqafoi Eriksenin, duke mos e lëshuar atë. Kur sigurimi arriti ta largojë atë nga fusha, ai doli duke e bërë shqiponjën me duar.
“Por, ai nuk më tha ndonjë gjë me të vërtetë. Mendoj se arriti të thotë “fanellë” kur po largohej nga sigurimi. Por, unë mbeta mjaft i habitur kur ai më përqafoi aq fort. Ishte një gjë e re për mua”, ka thënë Eriksen.