Fjalë Kyçe

Escobari edhe në Beograd bën thirrje për heqjen e barrikadave dhe formimin e Asociacionit

Escobari edhe në Beograd bën thirrje për heqjen e barrikadave dhe formimin e Asociacionit

Zv.ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Gabriel Escobar tha se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur në mënyrë paqësore. Ai ka kundërshtuar shkuarjen e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, sepse është kundër, siç thotë ai, militarizimit të problemit.

Në një intervistë për RTS, Escobar tha se “ka përparim dhe ka arsye për optimizëm”.

“Nuk dua të paragjykoj rezultatin e negociatave, por dua të them një gjë – në kontekstin e kësaj krize, mendoj se mund të shohim jo vetëm fillimin e një zgjidhjeje, por edhe një mundësi për një dialog të ri”, tha ai.

Ai ka përsëritur se Washingtoni po avokon për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si dhe se po kërkojnë mënyra për të zbatuar këtë pikë të Marrëveshjes së Brukselit.

“Për SHBA-në është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për ne është obligim sepse ne e kemi mbështetur atë proces dhe një parti politike nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme prej tij, kështu që do të kërkojmë mënyra për ta bërë këtë ide realitet”, tha Escobar duke shtuar se afati për këtë është “menjëherë”.

Escobari tha se tashmë ka pasur bisedime me përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të biznesit, liderëve rinorë “të cilët dëshirojnë që ky komunitet të funksionojë jo vetëm për serbët, por për Kosovën dhe gjithë rajonin”.

“Imagjinoni mundësitë që ekzistojnë brenda një komuniteti që është në kryqëzimin e katër vendeve të rëndësishme – Serbisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë, një qendër shpërndarjeje për Ballkanin e Hapur ose për një treg të përbashkët rajonal në kontekstin e procesit të Berlinit”, tha ai.

“Ne jemi kategorikisht kundër idesë që çon në militarizimin e problemit. Serbët duhet të kthehen në institucione, ne i duam ata atje, na duhen atje dhe barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur, pasi të dëgjohen shqetësimet e tyre”, tha Escobar.

Ai shtoi se i dëgjoi dhe theksoi se shqetësimet e tyre janë “legjitime dhe në shumë raste të justifikueshme”.

I pyetur nëse SHBA-ja po merr rol udhëheqës në zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Escobar është përgjigjur negativisht, duke shpjeguar se shumica e negociatave janë teknike.