Fjalë Kyçe

EULEX-i kërkon që serbët të rikthehen në institucionet e Kosovës

EULEX-i kërkon që serbët të rikthehen në institucionet e Kosovës

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka thënë të shtunën se vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet në veri mund të plotësohet vetëm pjesërisht nga ky mision.

Serbët në katër komunat veriore u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit të këtij viti, pas mosmarrëveshjeve të Kosovës e Serbisë për çështjen e targave. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar hapjen e një konkursi për t’i plotësuar këto pozita.

Sipas një komunikate për media, EULEX-i ka bërë thirrje që palët të kthehen në marrëveshjet përkatëse të dialogut që e rregullojnë integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor. EULEX-i e ka konsideruar si esenciale këtë çështje.

“Megjithatë, vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës vazhdon. EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

EULEX-i ka theksuar se do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj.

Misioni i BE-së i ka mirëpritur uljet e tensioneve në veri, ndërsa përmendi ndihmën që ia kanë ofruar autoriteteve të Kosovës për ta mbajtur situatën nën kontroll. Në komunikatë theksohet se EULEX-i e ka mbikëqyrur trajtimin që i është bërë ish-policit të arrestuar Dejan Pantiq nga autoritetet kosovare.

“Në këtë aspekt dhe që gjyqësori dhe policia e Kosovës ta mbështesin sundimin e ligjit dhe t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të pavarur sipas ligjit të Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare pa ndërhyrje apo frikësime politike apo të formave të tjera, është me rëndësi jetike që vendimet që merren nga gjyqtarë dhe prokurorë individualë, si dhe nga policia, në emër të institucioneve të tyre të kundërshtohen vetëm në aspektin e bazës së meritave ligjore të këtyre vendimeve”, vijon reagimi i EULEX-it.

Pantiqit iu lehtësua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak të mërkurën. Një ditë më pas, të enjten, serbët i hoqën barrikadat.