MacAllister anëtar i Kristiandemokratëve gjermanë nënvizon, se marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian varen nga normalizimi në mes të dy shteteve, dhe BE-ja pret që vendet të përmbushin sa më parë detyrimet.
Ai thekson, se “presidenti Vuçiq dhe Thaçi kanë treguar përkushtim që ta avancojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në një nivel më lartë”.
“Një normalizim i thellë do të ishte në të mirë të stabilitetit të rajonit dhe të Evropës. Kam ndjekur edhe diskutimet e fundit lidhur me korrigjimin e kufirit mes të Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe diskutimet rreth shkëmbimit të territoreve. Megjithatë çfarëdo marrëveshjeje do të ishte e pranueshme nëse është e pranueshme nga të dyja palët, duke marrë parasysh stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe ligjin ndërkombëtar”, ka thënë McAllister, shkruan Deutsche Ëelle
Nga ana e tij slloveni Igor Soltes ka thënë se duket që të dyja palët kanë ngecur në vend dhe nuk mund të lëvizin përpara. “Mendoj se më së miri është që të dyja palët të bëjnë një hap prapa, të reflektojnë në mënyrë të qetë të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen në formë bilaterale me ndihmën e BE-së”, ka thënë Soltes.
Ai ka shtuar se e di që “situata është e vështirë dhe e ndërlikuar, por e di që nëse ka motivim tek të dyja palët për të gjetur zgjidhje kjo është e mundur.
Të dy europarlamentarët McAllister dhe Soltes theksojnë qendrimin e BE-së, se vendosja e tarifës doganore me 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina shkel marrëveshjen CEFTA dhe nuk është në frymën e MSA-së mes BE-së dhe Kosovës. Ata sjellin në vëmendje apelin e Komisionit të BE-së, që qeveria ta tërheqë vendimin për tarifat doganore.