Fjalë Kyçe

Eurodeputetja Viola Von Cramon kërkon transferimin e luanit “Gjoni”, reagon Qeveria e Kosovës

Eurodeputetja Viola Von Cramon kërkon transferimin e luanit “Gjoni”, reagon Qeveria e Kosovës

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur në lidhje me luanin “Gjoni”, i cili është mbajtur ilegalisht në një restorant të këtij qyteti.

Gjykata Themelore në Gjilan, ka urdhëruar autoritetet përkatëse që të zhvendosin luanin nga kafazi, dhe t’i bëhej një zgjidhje e përshtatshme jashtë Kosovës, përcjell Telegrafi.

Por deri tani, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit edhe nuk ka marrë ndonjë veprim konkret. E, për këtë ka reaguar edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Përmes një postimi në Twitter, Von Cramon ka kërkuar që sa më shpejtë të bëhet transferimi i luanit për në Shqipëri.

“Ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk e kanë autorizuar transportin e tij. I bëj thirrje ministrive të veprojnë menjëherë”, thuhet në reagim.

Pas kësaj, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë se mirëpret interesimin e raportueses për fatin e luanit “Gjoni”.

Nitaj ka sqaruar se pse nuk ka ndodhur ende transferimi i tij.

“E njoftoje opinion publik dhe znj. Von Cramon që Ministria që drejtoj i ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm proceduralë e ligjorë për lirimin dhe transferimin e tij në një vend ku luani ‘Gjoni’, do të trajtohej në përputhje me normat e kërkuara. Tashme kemi një vendim të Gjykatës për sekuestrimin dhe transferimin e tij në një vend tjetër, por fatkeqësisht Kosova nuk është nënshkruese e Konventës CITES për qarkullim ndërkufitar të llojeve të kafshëve, andaj ne kemi kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të mundësojnë transferimin e luanit “Gjoni”, përmes Shtetit Shqiptar, prej nga dhe është kontrabanduar në Kosovë i njëjti”, ka pohuar ai.

“Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara.

https://twitter.com/ViolavonCramon/status/1358854065170632713

Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për Fondacionin “Four Paws” që ka shprehur gatishmërinë që të merr përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë”.