Tashmë u bënë 6 muaj, që nga vdekja e legjendës sonë, Fadil Vokrri.
Ishte në fillimin e verës, kur legjenda e futbollit Kosovar, iku pa lënë asnjë fjalë, duke na lënë në mesin e sukseseve të tijë si dhe në mesin e sukseseve të futbollit Kosovar.
Fadil Vokrri, ish – kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërroi jetë 9 Qershor të këtij viti, pas një sulmi kardiak të cilin e pësoi në mëngjesin e hershëm.
Bota e futbollit Kosovar, ishte çuditur duke lexuar shkrimet nga portalet e ndryshme kosovare, sa i përket këtij lajmi, shumica nuk po i besonte syve se çfarë është duke lexuar, mirëpo ishte e vërtetë, Vokrri nuk ishte më në mesin tonë.
U cilësua si humbja më e madhe kohve të fundit për Kosovën dhe absolutisht humbja më e madhe sportive për shtetin e Kosovës.
Pas vdekjës së tij, veprat e tij u nderuan në shumë raste, duke filluar nga emërimi i stadiumit të Prishtinës, me emrin e tij “ Fadil Vokrri”e më pas edhe nga tifozët Dardanët.
Tifozët e Kosovës e kanë nderuar edhe shumë herë legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban pikërisht emrin e futbollistit legjendar dhe presidentit ikonik të Federatës së futbollit të Kosovës, tifozët kishin përgatitur një koreografi të veçantë.
Në tribuna ishte ngritur numri 9, i bartur nga Vokrri, si edhe fotografia e tij me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë). Ndërsa i gjithë stadiumi e ka thirrur emrin Fadil Vokrri.
Kosova tanimë ka arritur suksesin e parë si kombëtare, duke dalur e para në grup në Nations League, dhe gjithë lojtarët këtë sukses e kanë dedikuar për të, për legjendën e futbollit Kosovar.
Shpresojmë që Vokrri është duke shikuar dhe sukseset e Kosovës, shpresojmë që është duke festuar sikur “ Dardanët” dhe ndihet krenar më këtë sukses të Kosovës.
Më poshtë gjeni shkrimin e të parit tanimë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi:
Në gjashtëmujorin e vdekjes, kujtimi për Fadilin mbetet i gjallë përjetësisht
Kam vështirësi teksa po tentoj t’i shkruaj disa rreshta për mikun tim, për legjendën tonë, për presidentin tonë, tashmë të ndjerë, Fadil Vokrri. Kur po thellohem në kujtime për rrugëtimin tonë të përbashkët për zhvillimin e futbollit të Kosovës. Ike i heshtur në këtë fillim vere, pa arritur të na thuash lamtumirë, mbase nuk i doje lamtumirat ngase shumë e adhuroje të ardhmen. Jo vetëm unë, por të gjithë u rritem me jehun dhe magjinë e lojës tënde, duke u shndërruar në legjendë. Dhe nuk thonë kot se legjendat nuk vdesin kurrë. Nuk e pata fatin të isha bashkëlojtar i yti, por isha me fat që u bëmë bashkë në një rrugëtim të lavdishëm, në rrugën dhe misionin e përbashkët që sakrificave të shumë brezave t’u japim kurorën e duhur – pranimin në arenën ndërkombëtare. Nami që kishte arritur gjithandej, të ndihmoi Ty dhe neve të tjerëve që të kishim prijës , për të hapur dyer e rrugë që na bënë pjesë të familjeve të mëdha të futbollit evropian e botëror, të mirat të cilat po i shijojmë tash. Dhe kjo po na bënë krenarë dhe obligues që me këmbëngulësi të vazhdojmë rrugën dhe vizionin tënd. Unë si pasues i yti dhe të tjerët, jemi të vendosur që ëndrrat tona të përbashkëta që janë edhe amaneti yt t’i bëjmë realitet. Dhembjen dhe boshllëkun që na le me ikjen tënde po mundohemi ta zbusim dhe ta plotësojmë me punë e përkushtim dhe çdo sukses i punës tonë me zell, të dedikohet Ty dhe gjithçka mbanë vulën dhe emrin tënd. Shpresoj se edhe Ti lartë në qiell ta kesh dëgjuar jehonën dhe thirrjet e adhuruesve në stadiumin buzë Arbërisë, që tashmë e bartë emrin tënd e qielli mbi Prishtinë po gjëmon nga thirrja e emrit tënd.
Mik i dashur, legjenda e jonë, Ti tash jeton përjetësisht kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm, prania e jote hetohet në çdo zemër dhe mendje të çdo futbollisti dhe të gjithë shqiptarëve gjithandej. Do të jemi përjetësisht falënderues për gjithçka që ke dhënë dhe ke bërë për neve dhe kujtimi për Ty do të jetë i përjetshëm.
Në këtë gjashtëmujor të vdekjes tënde të gjithë të kujtojmë me mall të pashuar.