Fjalë Kyçe

Familja e lejlekut të zi vendoset pranë lumit Vjosë

Familja e lejlekut të zi vendoset pranë lumit Vjosë

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri tha sot se një familje e lejlekut të zi është vendosur pranë lumit Vjosë.

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri ka publikuar disa foto nga familja e lejlekut të zi dhe thekson se e veçanta e saj qëndron se është vendosur në vijën kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Aftësia e shpendëve për të përshkuar mijëra kilometra mbi kontinente me qëllim mbërritjen në vendet e folezimit apo dimërimit, na bën të kuptojmë se duhet të veprojmë të bashkuar për mbrojtjen e tyre. Ndërkaq, rasti i familjes së lejlekut të zi, i publikuar disa ditë më parë, është akoma më i veçantë për arsyen se kjo familje është vendosur pikërisht në vijën kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë, përgjatë lumit Vjosë, në anën e fqinjëve”, shprehet Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Po ashtu Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri shton se “ky lloj ngjason me kalin e qyqes për zgjedhjen e rrugës së shtegtimit, vendet e dimërimit, apo përcaktimin e vendfolezimeve, në rastet kur e ndërton atë në shkëmbinj.

Përdorimi i gjerë i territorit të kullotjes, duke përfshirë dy shtete, është një tjetër ngjashmëri midis këtyre llojeve, e cila rithekson rëndësinë e ruajtjes së ekosistemeve natyrore ndërkufitare, si një të vetme”.

“Tre zogjtë e kësaj familje të lejlekut të zi, megjithëse kanë lënë folenë, ende janë ende nën përkujdesjen e prindërve, e cila zgjat përreth një muaj derisa të vegjlit të përvetësojnë aftësitë e gjuetisë. Gjatë kësaj kohe, edhe pse pranë territorit, këta zogj e shpenzojnë pjesën më të madhe të ditës jashtë folesë, duke e lënë ekipin tonë në pritje përreth 3 orë afër muzgut, deri sa ata të ktheheshin në fole”, shprehet Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri/ATSH.