Fjalë Kyçe

Familjarët e “Heroit të Kosovës”, të ndjerit Qerim Kelmendi, kërkojnë drejtësi

Familjarët e “Heroit të Kosovës”, të ndjerit Qerim Kelmendi, kërkojnë drejtësi

Familjarët e “Heroit të Kosovës”, të ndjerit Qerim Kelmendi, kanë kërkuar nga institucionet ligjzbatuese që të veprojnë me përgjegjësi dhe të sjellin drejtësi.

Kelmendi ishte vrarë më 27 shkurt të vitit 2020. Ishte raportuar se ai është qëlluar për vdekje fillimisht, e më pas trupi është djegur në veturë.

Identiteti i Kelmendit ishte konfirmuar më 6 mars kur ishte bërë analiza e dytë.

Familja Kelmendi ka thënë se të martën (nesër) do të organizojë homazhe në katërvjetorin e vrasjes së ish-luftëtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi. Homazhet do të mbahen në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan.

“Në të njëjtën frymë, ne dëshirojmë të ngremë një çështje të rëndësishme për të cilën kërkojmë ndihmën tuaj. Ju bëjmë apel që të ushtroni ndikimin tuaj dhe të luani rolin tuaj vendimtar në nxitjen e Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese për të vepruar me përgjegjësi dhe të sjellin drejtësi për vrasjen e vëllait tonë. Është jetike që media të mbajë gjallë interesin për çështje kaq të rëndësishme, duke kontribuar në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe në arritjen e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. Përkushtimi juaj për një raportim të drejtë dhe të pavarur mund të jetë kyç në ndryshimin e dinamikës së kësaj çështjeje, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke i dhënë fund një periudhe të gjatë të pasigurisë për familjen tonë. Kjo betejë nuk është vetëm për drejtësinë e Qerim Kelmendit, por edhe për të mbrojtur vlerat e drejtësisë dhe pavarësisë në shoqërinë tonë”, thuhet në një letër të familjes Kelmendi drejtuar mediave.