Fjalë Kyçe

Familjarët e Shkodran Bytyqit: Vrasësi pasi na vrau djalin erdhi tek ne në shtëpi

Familjarët e Shkodran Bytyqit: Vrasësi pasi na vrau djalin erdhi tek ne në shtëpi

Një vrasje makabre ka ndodhur të dielën e 8 dhjetorit në Ferizaj, 22 vjeçari Trimor Lalinovci ka ekzekutuar me një plumb mbas koke shokun e tij, pastaj ia ka djegur trupin me benzinë, Shkodran Bytyqit.

Gazeta Metro ditë më parë kishte kontaktuar me Prokurorinë ku kishin deklaruar se tani vrasjen makabre e ka pranuar edhe Trimor Lalinovci dhe ka treguar si ka ndodhur e gjithë ngjarja, qysh nga borxhi e deri tek ekzekutimi me plumb mbas kokës, thirrja për ndihmë nga vëllai për djegien e trupit dhe kapja nga Policia e Kosovës.

Shkodran Bytyqi kishte marrë nga Lalilnovci një pronë me vlerë prej 40 mijë eurove, pronë kjo që ishin rënë dakord të merret si borxh dhe t’i rikthehen nga Bytyqi për çdo muaj me këste.

Një familjar i viktimës, ka dhënë detaje të frikshme për Gazetën Express rreth këtij rasti, ku në ditën që Trimor Lalinovci vrau Shkodran Bytyqin, ai kishte shkuar në shtëpinë e viktimës, duke u shtirur gjoja se nuk kishte ditur asgjë për vendndodhjen e Shkodranit.

“Trimori ka ardhë tek ne, ditën kur po dyshohet se na e ka vra vëllain. Ka ardhur vet, ka ora 22:00 e natës. Shkodrani ka qenë shok me të që 6-7 muaj. Ia ka shitë një parcelë e cila ka qenë e vëllait. Me noter ka qenë gjithë procesi. Me këste ka pas pagesën ky i dyshimi që ta bëjë. Ai ka ardhë tek nëna jem, e përqafonte i thoshte unë jam djali yt i treti, beso në mu. Me duart me gjakun e vëllait tim, ka ardhur dhe e ka përqafu nanën time e fëmijët e vëllait që i la jetimë”, tregon detaje nga kjo ngjarje e rëndë një familjar i viktimës.

Ai tha, se i dyshuari, Trimori, u kishte ofruar ndihmë familjes për ta gjetur Shkodranin.

“….do ta bëjmë të pamundurën që ta gjejmë, na thoshte. Asi vrasësi unë nuk e di. Më ka thanë hajde po shkojmë edhe tek gruaja e vëllait. Jemi shku. I merrte vajzat e tij i përqafonte. Ky vrasësi është sjellë tek ne me një sjellje krejt të thjeshtë. Krejt normale. Si vrasës serial, që i shohim në televizor. Ka ardhë më ka marrë mu. Kemi shku të gruaja e vajzat e vëllait. Ai jepte ide se ku kishte mundur që të shkojë vëllau”, thotë ky familjar i të ndjerit.

Ky familjar i viktimës tregon se nga telefoni që e kishte pasur i ndjeri (Shkodrani), u kishte shkuar një mesazh ku thuhej se tashmë viktima (Shkodrani), po shkonte t’i lante disa hesape me dikë. Por këtë mesazh, familja e të ndjerit po thonë se nuk e ka shkruar vëllai i tyre, por Trimori i cili i cili dyshojnë që menjëherë pas vrasjes viktimës ia ka marrë telefonin në të cilin sinjal ka pasur edhe disa ditë pas vrasjes.

“Ai ka këqyrë që me ia lënë fajin dikujt tjetër për vrasjen që e kishte kryer ai vet. Ia ka marrë vëllait edhe ka shkruajt mesazh, “jam duke shku tek njëri, do t’ia bëjë kështu e kështu”, shkruhej në mesazh. Telefoni i bënte, nuk e çelte. Ky Trimori ka dashtë që fajin me ia gjujtë tjetër kujtë duke u largu nga krimi.”, thotë ky familjar.

Shkodran Bytyqi kishte marrë nga Lalilnovci një pronë me vlerë prej 40 mijë eurove, pronë kjo që ishin rënë dakord të merret si borxh dhe t’i rikthehen nga Bytyqi për çdo muaj me këste.

Por, pasi u morr për borxh prona nga Shkodran Bytyqi, aty filloi sherri, pasi i ndjeri kishte filluar t’ia vononte paratë e pronës Lalinovcit, e natyrisht se gjithçka filloi këtu dhe rezultoi me fatalitet.

Në fshatin Surqinë të Ferizajt, Trimor Lalinovci kishte shkuar me Shkodran Bytyqin për të biseduar në lidhje me problemin, por aty filluan zënkat dhe përleshja mes tyre.

Nuk shkoi shumë, Lalinovci kishte qëlluar me armën e tij me plumb mbas koke Shkodran Bytyqin, kështu duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes në afërsi të një shkolle, por ngjarja e rëndë nuk mbaroi me kaq.

22 vjeçari, pasi e qëlloi me armë, e kishte marrë trupin e Shkodran Bytyqit dhe kishte dërguar në fshatin Kishnapolë të Gadimës së Lipjanit, ku atje e kishte hedhur në një përroskë, ku e kishte lyer me benzinë dhe pastaj i kishte vënë flakën.