Fjalë Kyçe

Fatmir Limaj e Enver Hoxhaj nuk i kthyen Iphone-t 7 që i morën nga shteti

Fatmir Limaj e Enver Hoxhaj nuk i kthyen Iphone-t 7 që i morën nga shteti

Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj vazhdon ende ta mbajë telefonin që e kishte blerë me para të buxhetit të shtetit.

Një telefon të mençur, të tipit Iphone 7, ish zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj e kishte përdorur gjatë mandatit të kaluar, por ai ende nuk e ka kthyer këtë.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka marrë emrat e të gjithë stafit politik të zyrës së ish kryeministrit Ramush Haradinajt që nuk i kanë kthyer pajisjet që janë blerë nga buxheti i shtetit për nevojat e tyre.

Në këtë listë figuron edhe emri i Fatmir Limajt. KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Limajn, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.Qeveria në të cilën ka punuar Limaj, e ka përfunduar mandatin me 3 shkurt të këtij viti.

Ndërkaq, njëlloj ka vepruar edhe një ish-zyrtar i Qeverisë së kaluar.

Ish zëvendëskryeministri i Kosovës, tani deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj po vazhdon ta mbajë në pronësi një telefon të mençur, të tipin Iphone 7 të cilin e kishte blerë me para të buxhetit të shtetit gjatë kohës sa ishe zëvendëskryeministër.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë emrat e gjithë stafit politik të Qeverisë së kaluar që nuk i kanë kthyer pajisjet.

Enver Hoxhaj, njëjtë si edhe ish kolegu i tij, Fatmir Limaj vazhdojnë t’i mbajnë telefonat Iphone 7 dhe nuk i kanë kthyer ende.

Qeveria, ku Hoxhaj ka qenë zëvendëskryeministër e ka përfunduar mandatin më 3 shkurt të këtij viti.

KALLXO.com kishte shkruar para disa jave se Hoxhaj në të kaluarën kishte përdorur kartelën e ministrit për të paguar darka, ndonëse ai nuk e mbante pozitën.