Fatmir Limaj nuk do të mund të jetë prezent në nënshkrimin eventual të marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Kjo pasi zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, vazhdon të jetë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lista e zezë përpilohet cdo vit nga SHBA-ja ku bëjnë pjesë persona të caktuar fizik dhe juridik ku për arsye të ndryshme u ndalohet hyrja në territorin e SHBA-së.
Pjesë e kësaj liste përveç Fatmir Limajt, figura të tjera politike janë edhe Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Haradin Balaj, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Emrush Xhemajli, etj., që konsiderohen si persona të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm.
Kjo listë e zezë së fundmi është vazhduar edhe nga Presidenti Donald Trump, por kjo listë me këta emra së pari është nënshkruar nga George W. Bush në vitin 2001 dhe nga ai vit është vazhduar me të njëjtit persona shqiptar.
Ndërsa, së fundmi Kuvendi i Kosovës ka votuar ekipin për negociata me Serbinë të propozuar nga Qeveria e Kosovës, ku kryesimin e këtij grupi e ka Fatmir Limaj i cili gjendet në këtë listë të zezë të SHBA-së.
Mirëpo, në një letër drejtuar Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe liderëve të tjerë, Presidenti i SHBA-së, i ka ftuar liderët e Kosovës dhe të Serbisë që marrëveshjen përfundimtare ta nënshkruajnë dhe festojnë në Uashington, pra në SHBA.
Nga kabineti i Fatmir Limajt, përkundër insistimit të GazetaAlo, ata nuk kanë dashur që të përgjigjen.
Avokati Tom Gashi në një prononcim për GazetaAlo ka thënë Fatmir Limaj nuk mund të udhëtoj në SHBA si person fizik, por si një përfaqësues shtetëror me siguri mund t’i lejohet hyrja.
“Nëse eventualisht ndodh sa i përket Fatmir Limajt apo kushdo tjetër që mund të jetë në këtë listë, nuk vlejnë sepse ato janë për emërtimet private dhe persona fizik ndërsa në cilësinë e bartësve të funksioneve shtëtrore me siguri që do t’i lejohet hyrja në SHBA”, ka thënë Gashi për GazetaAlo.
Sipas Gashit, në këtë rasti z. Limaj nuk do të shkojë si Fatmir Limaj, por si kryesues i delegacionit.
“Në këtë rast ai nuk do të shkojë si Fatmir Limaj por mund të shkoj si kryesues i delegacionit që po thuhet që është delegacion shtetëror dhe mund të shkojë edhe si zëvëndëskryeministër i Kosovës dhe nuk ka kurrëfarë problemi, por jo si person fizik që i bie që nuk mund të shkoj për vizita, biznes, turizëm, por mund të shkoj për detyra shtetërore”, ka thënë Gashi.
Arton Demhasaj nga Lëvizja Çohu ka thënë për GazetaAlo se marrëveshja ka më u nënshkru në Bruksel dhe vetëm përurimi do të bëhet në Uashington.
“Marrëveshja ka me u nënshkrua në Bruksel dhe në Uashington ka me u bë vetëm përurimi i saj”, ka thënë Demhasaj.
Ai më tutje ka thënë se supozohet që do të hiqet z. Limaj nga lista e zezë e SHBA-së, pasi kjo listë ndryshohet kohë pas kohe.
“Supozohet të hiqet nga lista e zezë e SHBA-së, sepse ajo listë ndryshohet kohë pas kohe”, ka shtuar Demhasaj.
Sipas Demhasajt, në Uashington kanë me qenë vetëm në takim Presidenti Hashim Thaçi nga Kosova dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, andaj z. Limaj s’ka nevojë të shkojë fare atje.
“Në Uashington ka më qenë vetëm një takim mes Presidentit Thaçi, Vuçiq dhe Trump, ku proklamohet arritja e marrëveshjes. Prandaj, z. Limaj nuk ka nevojë fare të shkojë atje, sepse nuk është kjo rëndësia e madhe, por ajo që ka rëndësi është marrëveshja”, ka vazhduar Demhasaj.
Demhasaj ka përfunduar se SHBA-ja e di që z. Limaj është në listën e zezë dhe se kjo nuk e pengon procesin e dialogut e as imazhin e Kosovës, sepse nuk është vetëm ai në listën e zezë por edhe shumë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së./GazetaAlo/
Më poshtë gjeni emrat e plotë të shqiptarëve nga Kosova që gjenden në “listën e zezë” të SHBA-ve në vitin 2018:
Fatmir Limaj
Daut Haradinaj
Rexhep Selimi
Sami Lushtaku
Rrustem Mustafa
Azem Zyla
Ramiz Lladrovci
Emrush Xhemajli
Gafurr Elshani
Sabit Gashi
Skënder Habibi
Avdyl Jakupi
Ismet Kryeziu
Isak Musliu
Maliq Ndrecaj
Emrush Suma
Sami Ukshini
Muhamet Xhemajli
Haradin Bala
Besnik Kelmendi
Elvis Kelmendi
Liridon Kelmendi
Naser Kelmendi
Safet Durguti
Lavdrim Muhaxheri (i vrarë)