Fjalë Kyçe

FC Prishtina ankohet se iu mohua fitorja nga gjyqtarët në dy ndeshjet e fundit

FC Prishtina ankohet se iu mohua fitorja nga gjyqtarët në dy ndeshjet e fundit

Skuadra e Prishtinës ka reaguar ashpër pas përballjes derbi ndaj Feronikelit, shkruan GazetaAlo.

Ky është reagimi i plotë i klubit nga kryeqyteti.

Prishtina nuk ia doli kundër Feronikelit dhe gjyqtarit Çaka. Prishtina mrekullisht po e mbronte rezultatin 1:0 me gjithë lëndimin e realizuesit të golit të Prishtinës (17’) Bekteshit të lënduar dhe tre rokadave jo të natyrshme në mbrojtje. Zhvillohej minuta e 57-të, Boshnjaku ndërhyn nga e djathta, ishte vetëm ndërhyrja e dytë në tërë ndeshjen. Ndërsa në pjesën e parë ishte ndëshkuar në startin e parë e që paraprakisht ishte Boshnjaku i fauluar dhe Prishtinës iu deshtë 35 minuta të luante me një futbollist më pak.

Detaji kryesor i vendimit të Çakës ishte minuta e 68-të, portieri mysafir kishte lëshuar portën dhe humbur topin i cili tani me portën zbrazët ishte në pronësi Ergyn Ahmeti, ndërsa e ndali si futbollist i fundit Dabiqaj. Gjyqtari Çaka, të cilin Prishtina e mbronte edhe kur humbte dhe kur merrte karton të kuq me të, nuk e sanksionon mesfushorin mysafir me të kuq, vetëm me të verdhë.

FC Prishtina është maksimalisht e indinjuar me përbuzjen, me gjykimin me kritere me dy standarde, në Podujevë të shtunën dhe sot me Feronikelin. Dhe prapë, as me një futbollist më pak në fushë nuk u mposhtë, përkundrazi, Ergyn Ahmeti me pak fat mund ta mbyllte rezultatin me fitore (85’).

Prishtina edhe me pesë pikë mbrapa, edhe pa 4-5 lojtarë kryesor e me një futbollist më pak e atakoi kundërshtarin duke e kërkuar fitoren. Prishtina sot tregoi që nuk iu frikësohet kundërshtarëve, por, sikurse vitin e kaluar, armiku më i madh është gjykimi i njëanshëm tendencioz, me të cilët as ekipet më të mëdha nuk ia dalin.

Kanë mbetur edhe 12 ndeshe deri në fund dhe Prishtina do të vazhdoj të këmbëngul duke luajtur futboll. Ndërsa 5 pikë nuk janë shumë, kaq kishte Feronikeli edhe në vjeshtë e ishte kaluar dhe kjo, po pati futboll të rregullt, mund të kalohet edhe tani.

FC Prishtina

Java XXI

Prishtina – Feronikeli 1-1 (1-0)

Golat: Leotrim Bekteshi 17’ – Mendurim Hoti 57’

Shikues: 4.000

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Besnik Morina (Vu), Elvis Bicaj (Is) – Mervan Bejtullahu (Gjl)

KV: L. Boshnjaku, G. Mankenda, M. Pefqeli, D. Hasanaj – M. Hoti, A. Dabiqaj

Pozita jashtë lojës: Pri 2-1 Frn

Kornerët: Pri 2-9 Frn

Gjuajtjet totale: Pri 6-11 Frn

Gjuajtjet në portë: Pri 1-3 Frn

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj /c/ – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Kryeziu (16. Donat Hasanaj – 40’), 8. Ahmet Haliti, 3. Jamal Arago – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku, 18. Ergyn Ahmeti – 10. Meriton Korenica (77. Mergim Pefqeli – 61’), 15. Gauthier Mankenda, 19. Alen Jasharoski (17. Arbër Hoxha – 79’).
Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Argjend Mustafa, Marjo Morina. Kryetrajner: Mirel Josa

Feronikeli: 12. Florjan Smakiqi – 21. Përparim Islami, 5. Lapidar Lladrovci /c/, 33. Arbër Prekazi, 99. Yll Hoxha, 4. Albert Dabiqaj (19. Albutrint Morina – 86’), 27. Met Millaku (18. Artur Magani – 64’), 10. Astrit Fazliu (17. Kode Hamed – 85’), 11. Jean Da Silva, 24. Kastriot Rexha. Kryetrajner: Zekerija Ramadani.

Komenti:

Prishtina nisi mirë ndeshjen kur nga harkimi i bukur i Thaqit prej gjuajtjes së lirë përfundoi me golin me kokë të Bekteshit (17’). Pasta, mysafirët provuan të sulmonin, patën disa gjuajtje, por asnjë të rrezikshme në kuadrat.

Me daljen e Bekteshit pas lëndimit, vija e fundit u zhvendos në tërësi, Thaqi doli mbrojtës i majtë pozitë nga Arago doli në qendër të mbrojtjes, kurse Hasanaj në krahun e djathtë.

Edhe kjo frikë u mposhtë dhe Feronikeli, me gjithë se padyshim po luante mirë, nuk po gjente fare hapësira as për gjuajtje në kuadrat.

Krejtësisht ndryshuan gjërat me daljen me të kuq të Boshnjakut. Mysafirët nga një këndore ia dolën të organizonin sulm të mirë dhe me shënimin e Hotit me kokë nga pozitë e afërt ballore me portë.

Prishtina s’kishte çfarë të humbte e hapi lojën në tërësi, aq sa u ndje i kërcënuar edhe skuadra vendase dhe më nuk po sulmonte me shumë futbollistë duke u kënaqur edhe me barazim, me gjithë se e tentuan fitoren, por nuk patën forcë ta gjenin.

Ngjarjet do të rridhnin krejt ndryshe sikur t’ishte përjashtuar Dabiqaj dhe skuadrat të mbetnin me forca të barabarta. Edhe kështu, edhe pse me rrezik të madh mbrapa, Prishtina po e tentonte të “vidhte” golin e fitore çka mundësi të jashtëzakonshme pati Ahmeti kur brenda zonës nga e djathta gjuajti, la të shtangur portierin, por topi nuk u fut në portë për disa centimetra.

Pas ndeshjes, ekipi prishtinas ishte shumë i mllefosur në gjykim duke e shprehur haptas çdo anëtar i ekipit dhe klubit. /GazetaAlo