‘Kosova është ndër vendet më të pasura të regjionit me resurse natyrore minerare’, ka thënë eksperti Ferat Shala, kandidat për deputet nga radhët e PDK-së. Në emisionin ‘Debat’ në RTK, Shala ka thënë se Trepça është pjesa më emblematike e përfaqësimit të sektorit minerar në Kosovë, ‘nisur edhe për faktin historik, edhe si moshë, edhe si pjesë e historisë së Kosovës e cila ka rrugëtuar edhe si industri minerare bashkë me sfidat që ka Kosova’.
‘Parimisht ajo sot është një nga gjigantët e fjetur të rajonit të Evropës Juglindore sa i përket rezervave mineralmbajtëse të plumb-zinkut, arit dhe argjentit. Por Kosova ka edhe në gamë të gjerë të fushës së sektorit minerar. Po ashtu ështe fuqi në rajon dhe më gjerë me rervat e nikelit’ ,ka thënë Shala.
Sipas tij, Kosova është aktualisht e pranishme në tregjet botërore, por jo në shkallën e dëshiruar.
‘Ndërsa resurset minermbajtëse të bazenit të Kosovës janë qymyrmbajtëse dhe pjesa tjetët janë magnezitet. Pothuajse gjithë territori i Kosovës është i pasur me xehe. Ne i njohim vetëm këto ku kanë qenë të zhvilluara industritë deri tani, por ka ende fusha minermbajtëse që janë ende të pashfrytëzuara apo të pahulumtuara tërësisht. Shkalla e hulumtimit e vendburimeve minerare ka mbetur pothuasje ajo e viteve 80-ta’, ka thënë Shala, përcjell Gazeta Alo.
Sipas Shalës, ndërkombëtarët me Shtyllën e IV të UNMIK-ut kanë menaxhuar me resurset dhe fatkeqësia më e madhe e vendit tonë është kjo periudhë ku në vend që të rivitalizoheshin me kohë, ku ende shkalla e amortizimit ishte e vogël, do të mund të rivitalizoheshin shumë resurse, shumë industri përpunuese që kanë qenë.
‘Atëherë kemi fazën e dytë të menaxhimit të UNMIK-ut dhe de-fakto vijmë në situatën më të keqe të sektorit minerar. Jo vetëm në Trepçë, po edhe në boksite, edhe në magnezitet e Goleshit. Atë kohë kosovarët nuk kanë pasur asgjë në dorë. Tek pas shpalljes së pavarësise kemi filluar të rimëkëmbemi dhe t’i shohim ato, pastaj shumë vonë kemi filluar të krijojmë çështjen e hartimit të legjislacionit të mirëfilltë tonin. Ne deri në vitin 2009 apo 2010 kemi pasur rregullore të UNMIK-ut në fuqi që kanë menaxhuar me sektorin minerar, veçanërisht me sektorin e plumb-zinkut, se këtu ka qenë fokusi i shkallës së dëmtimit më i madh. Do të thotë në Trepçë, mineralet e plumb-zinkut, sepse Trepca ka qenë fokues i goditjes. Janë mbyllur metalurgjitë, janë shkatërruar asetet, s’është lënë të punohet. Parimisht e kanë hequr nga të gjitha nivelet e tregut ndërkombëtar dhe Trepça ka filluar të kthehet në tregjet ndërkombëtare vetëm pas vitit 2010’, është shprehur Shala.
‘Më vjen keq ta them se vetëm pasi kam shkuar unë dhe pasi kemi marrë iniciativën e plotësim-ndryshimit të legjislacionit, kemi larguar rregulloren 2005/48 e kemi kthyer në një ligj edhe atëherë shumë me mund që është quajtur Ligji për menaxhimin e ndërmarrjeve të veçanta, saktësisht për shkak se UNMIK-u dhe faktori ndërkombëtar nuk kanë lejuar t’i vihet emri Trepçë. Megjithatë e kemi parë si të arsyeshme që ky sektor ta bëjë fazën e parë të kalimit dhe e kemi pranuar atë kompromis’, ka thënë Shala, duke shtuar se tani ka një situatë shumë më të favorshme.
‘Sot jemi në një situatë krejt tjetër. Faktike dhe juridike është që sot asetet minerare janë aset nacional i Kosovës, mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përsëri tri herë e kemi ndryshuar ligjin dhe në të tri herët kam qenë pjesë aktive si ekspert në hartimin e ligjit dhe ligji i fundit e bie Trepën si aset shtetëror, mbështetur në Kushtetutë, sepse resurset minerare janë kategori kushtetuese dhe tek në vitin e fundit kur ka hyrë ligji në fuqi, do të thotë ne jemi zot si shtet të resurseve minerale të plumb-zinkut dhe të tjerave. Përndryshe deri vonë kemi pasur shumë probleme edhe të legjislacionit’, ka thënë Shala në debatin e organizuar për resurset strategjike të Kosovës.