Fjalë Kyçe

Ferizaj ka mbetur pa ujë të pijes për Kurban Bajram

Ferizaj ka mbetur pa ujë të pijes për Kurban Bajram

Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” thonë se mungesa e ujit të pijshëm është si pasojë e një mungese të ujit në tërë vendin dhe jo vetëm në Komunën e Ferizajt.

Kjo ka ardhur, sipas njoftimit të Komunës, si pasojë e temperaturave të larta dhe keqpërdorimeve eventuale dhe jo si pasojë e ndonjë defekti në rrjetin e ujësjellësit të komunës.

“Gjithashtu, sigurojmë qytetarët që është duke u operuar me kapacitet të plotë në gjithë rrjetin tonë me qëllim që qytetarëve t’i sigurohet uji i pijshëm”, thuhet më tej në sqarimin e Komunës së Ferizajt, raporton Koha.net.

Komuna ka shprehur keqardhje që në këtë ditë feste mungon uji i pijshëm, “përkundër përpjekjes të pandalshme të autoriteteve lokale, presim mirëkuptimin tuaj dhe njëkohësisht apelojmë tek qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të ujit dhe të denoncojnë keqpërdorimet e ujit tek organet kompetente”.

Komuna e Ferizajt thotë se ka mobilizuar prej ditësh të gjitha mekanizmat për të siguruar rezervat e ujit dhe përpunimin e tij me qëllim të shmangies së krizës në shkallë më të gjerë të ujit në territorin e Ferizajt.