Disa fermerë të Pejës e më gjerë kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugët e kësaj komune, sepse sipas tyre, u është pamundësuar shitja e kurbanëve te “Hamam Xhamia”. Nga Komuna thonë se ky vendim ka ardhur si shkak i ankesave të qytetarëve të cilët kanë shprehur pakënaqësi rreth vendit dhe ndotjes që po bëhet.
Një grup i fermerëve nga Peja kanë para objektit të Komunës së Pejës. Kjo pasi, sipas tyre, të mërkurën u është pamundësuar shitja e kurbaneve te “Hamam Xhamia” në Pejë.
Lan Hysen Kastrati nga fshati Doberdol, ka thënë se krejt kjo ka ndodhur pa asnjë paralajmërim.
“Mbrëmë i kamë bërë gati torishtat e të gjitha përgatitjet tjera, sot kur kam ardhur kamë parë që i kanë hequr të gjitha. Të pranishëm kishin qenë vetëm dy persona që më treguan se inspektorati i ka pastruar”, tregon për RTV Dukagjinin, Lan Hysen Kastrati.
Ndërsa Ramadan Zeqiraj, kryetar i Shoqatës së Dhenëtarëve nga Istogu paralajmëron Komunën e Pejës se nëse deri nesër nuk ndërmarrin diçka lidhur me këtë, do i bllokojnë të gjitha rrugët.
“Nga nesër nëse nuk merret vendim, po tregoj publikisht se do të mblidhen Shoqatat e fermerëve dhe hyrje-daljet në Pejë do të bllokohen me dele e me fermerë. Nëse kanë llogari të gjithë le t’i fusin në burgje. Le të përgatiten për një skandal”, thotë Ramadan Zeqiraj, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq në anën tjetër, nga komuna kanë bërë të ditur se ky vendim ka ardhur si shkak i ankesave të qytetarëve të cilët kanë shprehur pakënaqësi rreth vendit se ku po bëhet shit-blerja e tyre. Me arsyetimin se po ndotet ambienti.