Kur kanë kaluar 28 javë në Superligën e Kosovës, Feronikeli është lider në renditjen tabelore së bashku me Prishtinën, me nga 65 pikë të grumbulluara.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani është duke kaluar nëpër një formë mbresëlënëse këtë edicion, ku pas 28 ndeshjeve ka regjistruar 20 fitore, pesë barazime dhe tri humbje.
Statistika të njëjta ka edhe Prishtina, por që goldallimi e bën skuadrën nga Drenasi lider të kampionatit elitar kosovar.
Në pesë ndeshjet e mbetura “Industrialistët” synojnë të mos lëshojnë pikë, pasi që çdo gabim u kushton me titull.
“Blindimi” i lojtarëve
Investime të shumta janë bërë te klubi nga Drenasi në vitet e fundit, duke e ndërtuar një skuadër të qëndrueshme e me lojtarë shumë cilësorë.
Edhe për edicionet në vazhdim klubi që drejtohet nga presidenti Naser Ramaj kërkon të lërë gjurmë në futbollin e Kosovës.
Kështu ish-kampioni i Kosovës beson se shumica e futbollistëve kryesorë do të mbeten në klub edhe për edicionet e ardhshme.
Lidhur me këtë gazeta “Zëri” ka kontaktuar me zëdhënësin e Feronikelit, Erlind Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se ende nuk ka ndonjë marrëveshje për kontratat e reja, por që në klub besojnë se futbollistët do të vazhdojnë aventurën e tyre në Drenas. “Nuk kemi arritur ende ndonjë marrëveshje për kontratat e reja të futbollistëve, por që besojmë se ata do të mbeten pjesë e Feronikelit edhe në edicionin e ardhshëm”, tha zëdhënësi Erlind Krasniqi.