Fjalë Kyçe

Festë me fishekzjarrë për kampionet olimpike në qytetin e tyre

Festë me fishekzjarrë për kampionet olimpike në qytetin e tyre

Një festë të bukur ka përgatitur Peja për kampionet e mëdha të saj. Nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, të martën mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Pejë janë pritur kampionet olimpike në xhudo, Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Në shoqëri të tyre ishte trajneri dhe kreatori i gjithë këtij suksesi, Driton Kuka. Pritja e qytetarëve pejanë për kampionet e tyre ishte shumë e ngrohtë dhe emocionale. Emrat e Distrisë, Norës dhe Toni Kukës janë thirrur zëshëm nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve pjesëmarrës.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka Kelmendi ka mbajtur fjalimin e parë, ndërsa më pas të pranishmëve u është drejtuar Distria Krasniqi, kampione olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Fjalimi i saj është ndërprerë me thirrjet “Disi, Disi”.

“Faleminderit të gjithëve që keni dalë për të na pritur. Dua t’u falënderoj që na keni përcjellë gjatë këtyre viteve. Jam shumë e lumtur që ia kam arritur t’iu bëj krenarë dhe që ta sjellë medaljen e artë në qytetin e Pejës. Shpresoj që gjithnjë do ta kem përkrahjen tuaj”, ka thënë Krasniqi para bashkëqytetarëve.

Nora Gjakova ka fituar të artën në kategorinë deri 57 kilogramë në Tokio. Ajo ka falënderuar trajnerin Driton Kuka. Emri i Norës është thirrur ende pa nisur fjalimin. Fillimisht kampionia olimpike ka falënderuar pejanët që kishin dalë për t’i përshëndetur.

“Ju më mirë se të gjithë e dini se sa shumë punë, sakrificë kemi bërë për të arritur këtu. Jemi shumë me fat që kemi lindur në qytetin e Pejës, ku ka lindur trajneri Driton Kuka. E dini se të kemi Tonin trajner dhe mos t’i arrijmë këto rezultate nuk është e mundur”, ka thënë Nora Gjakova. “Na gëzojnë sukseset e njëri-tjetrit. Kjo medalje është për ju pasi suksese të tilla nuk arrihen vetëm”, ka shtuar ajo.

Fjalim të shkurtër ka mbajtur edhe trajneri Kuka.

“Është kënaqësi që jam në mesin tuaj në një moment kur kemi sjellë dy medalje të arta olimpike, pas asaj që solli Majlinda që mbetet gjithmonë legjendë, që ka dhënë shumë jo vetëm në aspektin sportiv. Kur jemi nisur për në Tokio kam besuar se do të fitojmë medalje. Por Disi e Nora më kanë befasuar në mënyrën më të mirë duke shkuar deri aty ku nuk mund të shkohet më larg. Një qytet me më pak se 100 mijë banorë i ka tri medalje të arta olimpike, nuk e di a ka rast tjetër në botë”, ka theksuar Kuka.

Më pas për xhudistet dhe trajnerin e tyre janë ndarë buqeta lulesh, ndërsa është prerë edhe një tortë. Dhe në fund për të nderuar veprën e dy xhudisteve, ceremonia festive ka vazhduar me fishekzjarrë.