Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur ta përjashtojë Ulpianën dhe Vllazninë e Pozheranit nga Liga e Parë, pas vendimit për kurdisje. Të premten, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Shkallës së Dytë të FFK-së ka vendosur që Ulpiana dhe Vllaznia e Pozheranit garat t’i vazhdojnë nga Liga e Dytë në sezonin 2024/25.
Më 11 prill, Komisioni i Garave të FFK-së vendosi që ndeshja e xhiros së 21-të mes Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit ishte e kurdisur. Ndeshjen e kishte fituar Vllaznia me rezultatin 4:3. Një vendim të tillë organet e FFK-së e marrin shumë, shumë rrallë, ndonëse numri i ndeshjeve që dyshohet se janë kurdisur është shumë i madh.
Vendimi i Komisionit të Garave u konfirmua edhe nga Shkalla e Dytë e FFK-së.
“Klubet futbollistike “Ulpiana” dhe “Vllaznia Pozheran” largohen nga garat e rangut përkatës të Ligës së Parë të Futbollit (Grupi B) të edicionit 2023/24, ashtu që të njëjtit kthehen në rang më të ulët të garave dhe me këtë humbin statusin e anëtarëve të Ligës së Parë për edicionin 2023/24, kurse garat e rregullta nga kampionati vijues 2024/25 i zhvillojnë në Ligën e Dytë të Futbollit”, thuhet në vendimin e Komisionit të Shkallës së Dytë të FFK-së.
Pas vendimit të Komisionit të Garave, të dyja klubet kishin mohuar përfshirjen në kurdisje.
Policia ka thënë se ka nisur hetimet.