Fjalë Kyçe

Flamuri shqiptar valëvitet në Serbi

Flamuri shqiptar valëvitet në Serbi

Tetë medalje në Kampionatin Ballkanik të Boksit që u zhvillua në Loznicë të Serbisë.

Dy medalje ari, dy argjendi dhe katër bronzi ishte totali i fituar nga boksierët kuqezi, në tre kategori: për të rritur, përtë rinj dhe për juniorë.

Padyshim arritja më e rëndësishme ishte ajo e Alban Beqirit, që fitoi medaljen e artë për të rritur, në peshën deri 71 kilogramë.30-vjeçari dominoi dhe fitoi përpara kohe ndeshjen finale me kundërshtarin ukrainas Matia Kubov.

Dueli përfundoi në raundin e dytë, me rivalin që nuk arriti të përballonte furinë e grushteve të Beqirit, i cili i shtoi koleksionit të tij një tjetër medalje ballkanike dhe i dhuroi Shqipërisë një tjetër rezultat të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Në ceremoninë përmbyllëse të eventit, Alban Beqiri hipi në shkallën më të lartë të podiumit.

Ai bëri që flamuri kuqezi të valëvitej sërish në Serbi, raporton A2.

Arritje e rëndësishme ishte edhe medalja e argjendit e fituar për të rritur nga Kris Bushi, në peshën deri në 63,5 kilogramë.

Mes medaljeve të tjera, Besian Karaj fitoi arin për të rinj, ndërsa Stiven Xixi mori bronzin në të njëjtën kategori.

Për juniorë, Gashi, Lazri dhe Deliu fituan medalje bronzi, ndërsa Jubani mori medaljen e argjendit.