Fjalë Kyçe

Flasin nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vaksinat e dhuruara Kosovës

Flasin nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vaksinat e dhuruara Kosovës

Në fillim të qershorit të këtij viti administrata “Biden” njoftoi se do t’i dhurojë mbi 80 milionë vaksina anti-COVID për vendet në nevojë, pjesë e së cilës iniciativë ishte edhe Kosova.

Lajmin për ndarjen e një sasie të vaksinave për Kosovën e kishte konfirmuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati thënë se SHBA-ja “do të ndajë një numër të konsiderueshëm të vaksinave kundër koronavirusit për Kosovën”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani pati thënë se ka kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden, më 19 mars (2021), që SHBA-ja të mbështesë Kosovën me vaksina.

Atëbotë Kosova ka qenë vendi i vetëm në Evropë që ende nuk kishte nisur procesin e imunizimit.

“Më 19 prill 2021 presidenti Biden u përgjigj pozitivisht. Ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot ne jemi të lumtur të njoftojmë se presidenti Biden, në emër të SHBA-së, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, pati thënë Osmani.

Ndonëse SHBA-ja tashmë ka filluar shpërndarjen e këtyre vaksinave për shumë vende të botës, në Kosovë ende nuk ka arritur sasia e ndarë, e cila po ashtu nuk dihet as se sa do të jetë.

Gazeta “Zëri” jozyrtarisht mëson se Kosova ende nuk është futur në agjendën e administratës “Biden” për dorëzimin e vaksinave.

Por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit amerikan, Jennifer Viau, i ka thënë “Zërit” se SHBA-ja është duke punuar për së afërmi me Qeverinë e Kosovës për dorëzimin e vaksinave, duke theksuar se shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Shtetet e Bashkuara po punojnë për të afërmi me Qeverinë për t’i dorëzuar dozat e vaksinave dhe presim me padurim që ato të mbërrijnë shpejt”, deklaroi Viau për “Zërin”.

Më tej, zëdhënësja e DASH-it thotë se vendi i saj po punon me agjenci e me grupe të ndryshme për dorëzimin e vaksinave në mënyrë të sigurt në Kosovë.

“Qëllimi ynë është t’i injektojmë vaksinat nëpër krahë sa më shpejt që të mundemi. Po punojmë ditë e natë që t’i dorëzojmë dozat në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi duke punuar për të siguruar sa më shumë vaksina të sigurta dhe efektive për sa më shumë njerëz në botë sa më shpejt të jetë e mundur. Falë zgjuarsisë së shkencëtarëve amerikanë dhe qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të popullit amerikan, ne jemi në gjendje t’i ndihmojmë të tjerët. Ne po ndajmë këto vaksina për të shpëtuar jetë dhe për ta udhëhequr botën drejt dhënies fund të pandemisë. Më duhet të theksoj se nuk po i ndajmë këto doza për të siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione. Vaksinat tona nuk vijnë me obligime shtesë. Ne po e bëjmë këtë me një objektiv të vetëm – për të shpëtuar jetë”, theksoi zëdhënësja e DASH-it për “Zërin”.

Ajo përmendi edhe deklaratën e presidentit Biden, i cili ka thënë: “Shtetet e Bashkuara do të jenë arsenali botëror i vaksinave në luftën tonë të përbashkët kundër këtij virusi. Shtetet e Bashkuara po përdorin fuqinë e demokracisë sonë, zgjuarsinë e shkencëtarëve amerikanë dhe forcën e prodhimit amerikan për të mposhtur pandeminë globalisht”.

Edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë se nuk kanë ndonjë informatë të re në lidhje me vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja për Kosovën.

Megjithatë, “Zëri” ka mësuar jozyrtarisht se procesi i ardhjes së vaksinave është në rrugë e sipër, kurse vonesat janë shkaktuar si pasojë e sfidave të shumta logjistike.

SHBA-ja do të vazhdojë të dhurojë vaksina anti-COVID përgjatë gjithë verës.

Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Ministria e Shëndetësisë për vaksinat amerikane, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Deri më sot në Kosovë kanë marrë dozën e parë mbi 233 mijë persona, ndërsa të imunizuar komplet janë gati 94 mijë qytetarë. Ka mbi dy javë që ka nisur procesi i vaksinimit masiv, duke ua mundësuar të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç imunizimin, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit të raportuara nga MSH-ja janë vaksinuar gati 13 mijë qytetarë.

Në fund të muajit qershor SHBA-ja njoftoi se do t’i blejë edhe gjysmë miliardi doza të vaksinës COVID-19 për t’i dhuruar për rreth 100 vende në zhvillim nëpër botë përmes COVAX-it.

Presidenti Joe Biden tha se SHBA-ja do të ndihmojë që bota ta kalojë këtë pandemi, duke punuar me partnerët e saj globalë.

Ndërkaq, më 11 qershor, liderët e G7-ës, të cilëve u janë bashkuar edhe vende të tjera, njoftuan se do të dhurojnë edhe 500 milionë vaksina shtesë së bashku, duke çuar në mbi një miliard vaksina të zotuara bashkërisht. Vendet e G7-ës janë: Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Dozat që SHBA-ja po i dhuron, siç ka njoftuar Departamenti i Shtetit, janë vaksina shumë të efektshme të prodhuara nga firma bioteknologjike amerikane “Pfizer” dhe do të shkojnë për 92 vende me të hyra të ulëta dhe të ulëta të mesme përmes COVAX-it.

Ky donacion amerikan është më i madhi i bërë ndonjëherë nga një vend i vetëm. Dhurimi i vaksinave “Pfizer” do të nisë në gusht dhe deri në fund të vitit do të dhurohen 200 milionë doza. 300 milionë dozat tjera do të dhurohen në pjesën e parë të vitit 2022.

Donacioni i fundit i SHBA-së është shtesë nga 80-milionëshi i njoftuar më parë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar me katër miliardë dollarë COVAX-in dhe kanë dhuruar miliona dollarë pajisje, teste dhe terapeutikë nëpër vende të botës.