Koronavirusi po kërcënon gjithnjë e më shumë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Florida raportoi dy viktima të premten, duke e çuar numrin total në 16, me më shumë se 200 raste të konfirmuara.
Sidoqoftë, viktimat e tjera kanë qenë në shtetet e bregut perëndimor, të Kalifornisë dhe Uashingtonit. E gjithë kjo vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, autorizoi 8.3 miliard dollarë për përpjekjen kundër koronavirusit.
Në Kaliforni tani janë konfirmuar 21 raste të koronavirusit në bordin e anijes krocerë Grand Princess, që po qëndron në brigjet afër San Francisco-s. Kjo krocerë i përket të njëjtës kompani me Diamond Princess, që ishte në qendër të një shpërthimi të madh të koronavirusit ndërsa u ankorua pranë brigjeve japoneze. Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tha se Grand Princess, do të dërgohej në një port jo komercial gjatë fundjavës dhe të 3533 pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit do të testoheshin.
Edhe Kanadaja ka konfirmuar rastin e parë të koronavirusit tek një person që kohët e fundit nuk kishte dalë nga vendi dhe nuk kishte patur as kontakte me ndonjë të infektuar.