Fjalë Kyçe

Policia jep detaje të plagosjes në Pejë, sulmuesi në pranga e i plagosuri në spital

Policia jep detaje të plagosjes në Pejë, sulmuesi në pranga e i plagosuri në spital

Policia e Kosovës njofton se rreth orës 12:43 të ditës së sotme, është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Nëna Terezë”, në Pejë.

“Menjëherë njësitet relevante të policisë kanë shkuar në vendngjarje për të mësuar të gjitha rrethanat lidhur me rast. Si pasojë e këtij incidenti një person është plagosur, i njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për trajtim të mëtutjeshëm dhe sipas ekipit mjekësor gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia njofton tutje se ka zbuluar identitetin e personit të dyshuar dhe pas një pune intensive operativo-hetimore është arrestuar 1 (një) person i dyshuar dhe është në kërkim të 2 (dy) personave të tjerë të involvuar në këtë rast, identiteti i të cilëve është i njohur për Policinë, po ashtu edhe personi i plagosur i cili është në Spital, konsiderohet të jetë i dyshuar.

“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftim.

—————————–

Foto nga vendi në Pejë ku mbeti i plagosur një person

Pasditen e sotme në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri ku një person ka mbetur i plagosur, ndërsa dorasi i njohur për policinë ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 12:43 policia ka pranuar informatën së në rrugën “Nëna Terezë” në Pejë ka pasur të shtëna me armë zjarri. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, një person është plagosur në këmbë dhe është dërguar në spitalin rajonal të Pejës. I dyshuari është i njohur për policinë, është në arrati, policia është duke punuar për kapjen e tij”, ka thënë Rugova.

Gazeta mëson se personi i cili po kërkohet si i dyshuar nga policia e që besohet se e ka kryer plagosjen është Azem Uka, i njohur në Pejë si “Azem Sakica”. Ndërkohë viktima është Kushtrim Krasniqi.
Ky i fundit është jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në spitalin e Pejës.
E ndërkohë i dyshuari për plagosjen ka ikur nga vendi i ngjarjes. Policia e Pejës në këto momente po kryen bastisje rreth këtij lokacioni në disa lagje të Pejës.
Këto janë fotot nga vendi i ngjarjes pas plagosjes: