Fjalë Kyçe

Fshati që ofron 40 mijë euro për ata që zgjedhin të jetojnë aty

Fshati që ofron 40 mijë euro për ata që zgjedhin të jetojnë aty

Si do të vepronit nëse do t’ju ofronin 40 mijë euro për të jetuar dhe punuar në një fshat piktoresk në Itali? Santo Stefano di Sessanio ndodhet rreth 150 kilometra në lindje të Romës dhe ofron për banorët e rinj një pagë mujore dhe një kontribut për të nisur një biznes.

Këshilli i qytetit ka vendosur t’iu paguajë banorëve të rinj një tarifë mujore për tre vjet, deri në një maksimum prej 8,000 eurosh në vit si dhe një kontribut prej 20.000 eurosh për të nisur një biznes.

Por ndonëse fshati mesjetar është vetëm dy orë larg me makinë nga kryeqyteti italian, ai ka vetëm 115 banorë dhe rreth gjysma e tyre janë të moshuar, ndërsa më pak se 20 janë nën moshën 13 vjeç.

Kryetari i Bashkisë, Fabio Santavicca shpreson që projekti për joshjen e banorëve të rinj të funksionojë dhe shton se nëse shkon mirë, mund të aplikohet dhe nga qytete të tjera të vogla.

“Për ta rikthyer Santo Stefano në jetë dhe për t’i dhënë një jetë të re, më shumë forcë ekonomike dhe sociale, ne kemi nevojë për njerëz më të rinj. Ne thjesht duam të bëjmë gjëra që do të lejojnë që fshati të vazhdojë të jetojë.”, është shprehur Santavicca.

Por kjo skemë financimi ka edhe kushte. Aplikantët duhet të jenë të moshës midis 18 dhe 40 vjeç si dhe të jenë shtetas të BE-së, ose të kenë të drejtën të qëndrojnë në BE për një periudhë të pacaktuar.

Rreth 1.500 njerëz kanë aplikuar prej 15 Tetorit.